Partia Demokratike përshëndeti sot rezolutën e Parlamentin Evropian dhe vlerësoi rolin që partitë Popullore Evropiane kanë luajtur dhe po luajnë për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku theksoi se “rezoluta shpreh qartë që nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse reformave dhe meritës në procesin e integrimit evropian”.
“Megjithëse Shqipëria është propozuar 3 herë për hapjen e negociatave fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur. Ka disa vende skeptike të cilat kanë nevojë të shohin rezultate dhe mosbesuesit do të binden vetëm me reforma dhe me arritje konkrete dhe jo me fasada”, tha ajo.
Sipas Tabakut, rezoluta nënvizon se “hapja e negociatave është vetëm fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë, por është mënyra se si të kemi një proces kontrolli, monitorimi dhe mbikëqyrje më të mirë për qeverinë shqiptare”.
Rezoluta, tha ajo, “është një përpjekje për të treguar se vendi i Shqipërisë është në Evropë dhe jo vetëm gjeografikisht.
“Ne besojmë se 9 pikat e Bundestag-ut janë harta që duhet të ndjekë qeveria shqiptare për nisur sa më shpejt negociatat dhe për të mos u kthyer në barrë edhe për vendet e tjera kandidate. Opozita është e angazhuar në këtë proces më shumë se qeveria, të cilës me sa duket i mungon vullneti politik”, tha Tabaku./ATSH/