Kryetari i Partisë Demokratike ët Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i ka përkujuar të shtunën dëshmorët e Betejës së Junikut, në 21-vjetorin të rënies heroike. Në një postim në Facebook ai e ka përkujtuar Bekim Berisën-Abeja, Xheladin Kurtajn, Agim Bajramin, Bedri Shalën, Besnik Beguncën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën, të cilët ranë heroikisht më 10 gusht 1998 gjatë luftimeve në mbrojtje të Junikut.
Ja postimi i plotë i Veselit:
Si sot 21 vjet më parë, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë heroikisht: Bekim Berisha-Abeja, Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami, Bedri Shala, Besnik Begunca, Elton Zherka dhe Përmet Vula. Ne sot kemi arritur shumë falë sakrificës së tyre por Kosova nuk është akoma ajo që ata kanë ëndërruar. Na mbetet shumë për të bërë që të përmbushim aspiratat e Abejës dhe të mijëra dëshmorëve të tjerë, që të kemi një Kosovë të zhvilluar me shumë mundësi për të rinjtë tanë. Për të nderuar kujtimin e veprës së tyre, ne duhet t’ia heqim njollën që i është vënë luftës sonë çlirimtare prej abuzimit me veteranët e rremë. Ua kemi borxh dëshmorēve që të bëjmë më të mirën për UÇK-në dhe vendin tonë.