Qeveria ka nisur prej kohësh të paguajë qiranë prej 105 mijë eurosh në muaj, për një objekt në pronësi private, në të cilin tek këtë javë është duke u zhvendosur me urgjencë i gjithë personeli i Ministrisë së Bujqësisë (MBPZHR) dhe ai i Ministrisë së Kulturës (MKRS). Kjo është duke ndodhur në kohën e ndryshimit të pushtetit në ekzekutiv.
Informacione rreth lartësisë së qirasë ka dhënë vetëm Ministria e Kulturës, por jo edhe ajo e Bujqësisë dhe Ministria e Administratës Publike (MAP), që kanë zhvilluar procedurat e negocimit me pronarin e godinës ku do të vendoset stafi i të dyja dikastereve qeveritare. Por, burime të gazetës kanë treguar se qiraja është në shumën 105 mijë euro në muaj, apo diku 1.26 milionë euro në vit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kushtet ishin katastrofale. Zyre pa dritare. Në fakt, korridoret i kishin kthyer në zyre. Hapësirë shumë e ngushtë”, e ka përshkruar një zyrtar i lartë i Ministrisë së Bujqësisë ambientin brenda objektit me qira, ku ka filluar të bëhet zhvendosja. “Për Ministrinë e Bujqësisë qiraja mujore është 64 mijë euro në muaj, ndërsa për Ministrinë e Kulturës 41 mijë euro”.
Sipas këtyre burimeve, ka kohë që qiraja ka nisur të paguhet, ani se hapësirat ku duhet vendosur stafi i ministrive ende nuk janë gati.