Policia amerikane ka publikuar imazhe që tregojnë se si dy të dyshuar për vrasje realizuan një arratisje të habitshme nga burgu në Kaliforni.
Santos Samuel Fonseca, 21 vjeç, dhe Jonathan Salazar, 20 vjeç, u zvarritën përmes një vrime 55 cm, të cilën e prenë në një tavan tualeti në burgun në qytetin e Salinas, në jug të San Franciskos.
Zyra e sherifit lokal tha që burrat kishin shfrytëzuar një vend pa mbikëqyrje.
Të dy ishin në pritje të gjykimit për akuza të veçanta vrasjeje kur u arratisën të dielën.
“Ne jemi të zhgënjyer që ka njerëz të akuzuar për vrasje që nuk janë më në burgun tonë,” tha Jonathan Thornburg, një zëdhënës i Zyrës së Sherifit të Qarkut Monterey.
Autoritetet po kërkojnë të arratisurit, të cilët konsiderohen të armatosur dhe të rrezikshëm.