Live

Eksponenti i BIA-s urdhëroi sulmin në Konsullatën e Kosovës

09:29 / 16 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Tifozët huliganë të klubit futbollistik nga Beogradi “Crvena Zvezda”, qëndrojnë pas sulmit vandal mbi Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës. RTV “Dukagjini” raporton se sulmin e kanë realizuar tifozët huliganë, por ai ishte urdhëruar nga shërbimi sekret serb – BIA.

Një natë para sulmit klubi nga Beogradi kishte zhvilluar ndeshjen futbolliste në këtë qytetet me klubin vendas “Kobenhavn”, kurse tifozët ultra nga Beogradi të njohur si “Delije” tërë natën kanë bredhur nëpër rrugët e qytetit.

Njëri nga udhëheqësit e klubit “Crvena Zvezda” është edhe njëri nga drejtorët e shërbimit sekret serb, Bojan Dimiq. Madje, vet Dimiq ka publikuar video dhe foto në profilin e tij në Facebook, ku krenohet me tifozët e klubit të tij. Në njërin nga këto postime, Dimiq shkruan: “Bravo djema, bravo Dulle… Zvezda – Serbia – Kosovo Metohia”.

Organet e sigurisë së Danimarkës po zhvillojnë hetime për sulmin ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës dhe pistë shumë serioze janë disa nga tifozët e Beogradit.

Mediat kosovare kanë raportuar më herët se drejtori i BIA-s Bojan Dimiq e viziton herë pas here Prishtinën. Ai është një rusofil i llojit të vet, mbështetës i flaktë i Aleksandar Vuçiqit dhe i përfshirë në nëntokën e krimit në veri së bashku me Milan Radojçiqit dhe Zvonko Veselinoviqin.

Sulmi vandal mbi objektin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës është shënuar të mërkurën në mëngjes, Sipas Ministrit në dorëheqje  të Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me këtë rast është vandalizuar edhe stema e ambasadës së Shqipërisë në Kopenhagë, objekt ku janë të vendosura të dy misionet diplomatike.

Shpërndaje në

U Kopjua