Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se, ministri në dorëheqje i kësaj Ministrie, Endrit Shala, e ka nënshkruar të premten vendimin për vendosjen e masave reciproke ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë Veriore, për shkak se kjo e fundit është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të Republikës së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut, MTI i ka dërguar disa ankesa përmes sekretariatit të CEFTA-së dhe po ashtu iu ka drejtuar me letër Ministrit të Ekonomisë, por që nuk kanë reflektuar.
“Kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje, prandaj jam i detyruar që në mbrojtje të interesit të Kosovës, biznesit Kosovar dhe në mbrojtje të prodhimeve tona që të ndërmarr veprime të tjera ligjore, në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Sot kam marr vendim që të vendos masa reciproke për produktet e Maqedonisë së Veriut që importohen në Kosovë dhe të ndalojë hyrjen e disa produkteve në mënyrë që të detyrojë shtetin e Maqedonisë së Veriut që të reflektoj dhe të ketë tretman të barabartë për produktet e Kosovës që hyjnë në atë shtet”, thuhet në vendimit e ministrit Shala.
Ai ka thënë më tej se reciprociteti, partneriteti dhe trajtimi i barabartë i prodhimeve kosovare gjatë eksportit në vendet e rajonit, është e vetmja rrugë me të cilën duhet të ecim përpara.
