Live

Gjermania për propozimin francez: Të mos vonohet hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

11:27 / 19 Nëntor 2019

Nga Kosova Live

Propozimi francez për zgjerimin e BE-së pritet me kritika. Qeveria gjermane është e hapur për ta diskutuar propozimin, por kërkon që ai të mos ketë ndikim mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, të martën në Bruksel, qeveria gjermane ka reaguar ndaj propozimit të Francës për strategjinë e zgjerimit të BE-së. E pyetur nga DW, Ministria e Jashtme gjermane është shprehur se reforma e zgjerimit të BE-së nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave:”I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,” thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme dërguar DW.

“Ministri i Jashtëm Maas e konfirmoi këtë edhe gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën e kaluar. BE tani duhet të mbajë fjalën e saj, sepse kushtet për fillimin e negociatave janë përmbushur. Vazhdimi i politikës së suksesshme të pranimit në BE dhe një zhvillim i qëndrueshëm afatgjatë i Ballkanit Perëndimor janë në interesin tonë strategjik”, përfundon deklarata.

Kritika nga ekspertët

Në dokumentin jozyrtar (nonpaper) Franca propozon që procedura e anëtarësimit të kalojë në shtatë etapa. Për të kaluar nga njëra etapë në tjetrën vendi kandidat do të duhet të plotësojë një grup kushtesh, ndër të cilat për shembull i pari është implementimi i ligjeve për ambientin dhe ndër të fundit është integrimi ekonomik.

Dusan Reljiç, drejtori i zyrës së Brukselit në Fondacionin Gjerman të Shkencës dhe Politikës (SWP), beson para së gjithash se një dokument i politikës së jashtme, i lëshuar nga Pallati Elysee për zyrtarët e BE-së është një përpjekje për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga refuzimi për të dhënë dritën e gjelbër në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. “Natyrisht, Parisi është i befasuar nga kritikat e ashpra për frenimin e procesit të zgjerimit. Kritikat erdhën nga të gjitha anët dhe shumica e tyre e quajtën “gabim katastrofik” – tha Reljic për DW.  Reljiç mendon se dokumenti heq gjënë më të rëndësishme në rastin e Ballkanit Perëndimor: zhvillimin ekonomik.

Edhe drejtuesi i Nismës Evropiane të Stabilitetit, Gerald Knaus, i cili e analizon atë në një video në Youtube, nga njëra anë, lëvdon faktin që synohet anëtarësimi i plotë i kandidatëve, por mendon se kjo procedurë do ta ulë edhe më shumë besueshmërinë e BE-së.

Knaus propozon që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, mund të fillojnë bisedimet të tëra së bashku, si bllok. Dhe pastaj, në varësi të performancës që do të arrijnë, ato mund të anëtarësohen në fund. Aty pastaj do të duhet të bëhet edhe një debat, se a është gati ende BE-ja për anëtarë të rinj.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...