Një person, i cili dyshohet si ndërmjetës në vrasjen e gazetares së njohur investigative në Maltë, Daphne Caruana Galizia, është arrestuar nga policia. Kështu shkruajnë mediat malteze, ndërsa tashmë grupi hetimor shpreson që do të zbërthejë të gjithë skenarin dhe aktorët e përfshirë në këtë vrasje të tmerrshme.
Sipas asaj që raportojnë mediat atje, besohet se i prangosuri ka bërë lidhjen e personit që ka urdhëruar dhe paguar për vrasjen e gazetares, e cila njihej si një nga zërat më kritikë të qeverisë malteze.
Gazetarja shkruante në një blog anti-korrupsioni , ndërsa ajo u vra në muajin tetor të 2017 nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinë e saj teksa dilte nga shtëpia, në zonën e Valetas. Kjo ngjarje e rëndë çoi peshë vendet e Evropës. Ndërkohë në media, por jo vetëm, u shtrua në diskutim sundimi i ligjit në rajonin e Mesdheut. Deri tani, përfshirë edhe rastin e fundit, policia ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në atentatin mafioz ndaj gazetares.
Qeveria dhe policia nuk kanë bërë asnjë koment për ngjarjen. Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat theksoi se shpreson që sa më parë të zbardhet e gjithë e vërteta në lidhje me vrasjen e gazetares Caruana Galizia, ndërsa kjo qasje e tij tregon provën që qeveria e tij, duhej të ndërmarrë vendime të vështira.
Mediat vendase, referuar burimeve policore, kanë raportuar se eksplozivi që u përdor për vrasjen e gazetares dyshohet se ka si vend origjine Shqipërinë. Kjo sipas tyre është arritur falë grupeve kriminale shqiptare, të cilat funksionojnë me terren të zgjeruar në Evropë dhe në Shqipëri/BW.