Sipas një raporti të hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Qeverisë së Kosovës i propozohet që ta rris çmimin e sigurimit për automjete deri në 35 për qind.
Sipas këtij raporti i bie që varësisht prej fuqisë së motorit me rritjen e re qytetarët do të paguajnë prej 27 deri 210 euro më shtrenjtë për sigurimin e automjeteve.
Në arsyetimin e këtij raporti thuhet se përmes kësaj rritjeje synohet që dëmet e mbetura nga kompania e falimentuar “Insig”, t’i paguajnë qytetarët e Kosovës. Kjo është njëra nga pikat përmes të cilës kompanitë e sigurimeve e kanë arsyetuar rritjen e çmimit prej 35 për qind të sigurimit të automjeteve, bazuar në disa dokumente të siguruara nga Buletini Ekonomik.
Në raport përmenden në detaje detyrat e aktuarve karshi situatës se re të krijuar në tregun e sigurimeve, përfshirë këtu edhe kompaninë e falimentuar “Insig”.
Në kalkulimin e për rritjen e çmimit të këtij sigurimi janë marrë parasysh efektet që ka rritja e mbulesës sipas Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, falimentimi i siguruesit n “Insig”, financimi i Fondit të Kompensimit pranë Byrosë Kosovare të Sigurimeve, dhe implemtimi i rregullores bonus-malus dhe inflacioni.
Ndryshe, kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve, në emër të detyrimeve financiare që u janë shtuar si pasojë e bankrotimit të kompanisë “Insig”.
Mbështetur në Ligjin për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, secili sigurues ka të drejtë të paraqesë kërkesë për aprovim ose ndryshim të tarifave të sigurimit TPL, për të cilat çdo përllogaritje e tyre duhet të jetë në harmoni të plotë me rregullat e përcaktuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Këto rregulla përfshijnë përcaktimin e strukturës së primit, shumën minimale apo maksimale apo kufi tjetër brenda të cilit primi duhet të jetë, si dhe bazën teknike e cila duhet të përdoret nga siguruesit me rastin e llogaritjes së primit të sigurimit.