Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë komuna që ai e udhëheq ka ndarë 5 mijë euro për tërmetin që ndodhi ditën e djeshme në Shqipëri.
Elezaj ka thënë se me qëllim të organizimit dhe dërgimit të ndihmave në mënyrë institucionale, kemi formuar një ekip emergjent, i kryesuar nga drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Iber Elezaj, nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Hekuran Sejdiu dhe drejtori i Financave Aziz Desku.
Komunikata e plotë:
“Duke parë gjendjen dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Shqipëri, sot kam thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve, për të diskutuar hapat dhe përgatitjet që do të ndërmerren pas kësaj fatkeqësie natyrore dhe pasojat që mund të ketë shkaktuar në komunën tonë”.
“Në këtë mbledhje morëm vendim:
– Që të i dërgohet Kuvendit Komunal një propozim për ndihmë fillestare, për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 5 000 euro, mjete të cilat do të ndahen për demet e shkaktuara nga tërmeti në Shqipëri.
– Me qëllim të organizimit dhe dërgimit të ndihmave në mënyrë institucionale, kemi formuar një ekip emergjent, i Kryesuar nga Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, z. Iber Elezaj, dhe i përbërë nga Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z. Hekuran Sejdiu, Drejtori i Financave, z. Aziz Desku dhe dy përfaqësues të bizneseve të cilët do të caktohen, i cili do të bëjë koordinimin e pranimit dhe të dërgimit të ndihmave nga bizneset dhe qytetarët.
– Po ashtu, është vendosur që Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe e Emergjencave në bashkëpunim me Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të bëjnë evidentimin e dëmeve të mundshme të shkaktuara nga tërmeti në territorin e Komunës së Klinës, i cili do të hartojë raportin për dëmet eventuale. Jemi një popull. Jemi çdo herë të bashkuar, në çdo rrethanë”.