Edi Rama nuk ka zhgënjyer askënd që ka vënë bast se ai do thyejë kodin e heshtjes këtë ditë zie. Si një propagandist patologjik, për të cilin thirrja e kamerës është më e fortë sesa ajo e arsyes, ai nuk ka duruar dot as 24 orë pa u marrë me kritikët e tij politikë.
Fillimisht u shfaq në Real Story për të na thënë se ata që kujtojnë se ai qëndron në fron vetëm për të vjedhur gabohen. Pastaj, i shtoi notat e patetizmit, duke deklaruar se i ndjen të gjithë shqiptarët që janë duke vuajtur, njësoj siç ndjen dhimbjen e djalit të tij. Në fund, si për ta mbyllur ciklin, u përlot dhe e la përgjysëm kohën në prime time që i kishte rrëmbyer Sokol Ballës.
Por, nuk u mjaftua me kaq.
Vetëm një ore më vonë e tregoi ku e kishte pasur hallin. Shkroi një status cinik në Facebook, për të “përqafuar” ata që e kishin kritikuar gjatë gjithë ditës, pasi e dinte se kushdo që e shante kujtonte se kishte të drejtë.
Po në fakt, përse e patën fshikulluar kryeministrin, sidomos nga Kosova? Pse ai e ndjeu kaq të nevojshme të përvishte llërët e politikanit, madje pa skaduar afati i zisë kombëtare? Ç’nevojë pati që të luante rolin e aktorit patetik dhe të përlotej live para shikuesve?
E gjithë kjo gjë ka një shpjegim.
Edi njeri donte të fshinte nga kujtesa kolektive Ramën që është peng i akteve të tij politike.
Ajo që ndodhi nuk ishte e lehtë. Gjatë gjithë ditës një ortek reagimesh në rrjetet sociale, i kërkonin kryeministrit të Shqipërisë të hiqte taksën e rrugës së kombit, për ata që nga Kosova, po sillnin ndihmë për të prekurit nga tërmeti. Ishte shenja dhe mirënjohja më minimale që mund të dëshmonte një shtet. Ishte akti më simbolik që mund të kryhej ndaj kësaj vale të mrekullueshme solidariteti.
Po si u soll Rama?
Ndoshta instiktivisht, ndoshta se e ka të rrënjosur në kokë mbrojtjen me çdo kusht të rregjimit të koncesionarëve, ndoshta se beson naivisht se vetëm paprekshmëria e atij grushti oligarkësh, të cilët i ka mëkuar me llokma atdheu, është themeli më i fortë që e mban në pushtet, ai bëri një gafë për të cilën me siguri është penduar si qen.
Kërkesën e zv/kryeministrit, Behgjet Pacollli, për lehtësimin nga taksa të atyre që po sillnin ndihma, jo vetëm e hodhi poshtë me arrogancë, por u tall dhe në mënyrë të paskrupullt duke thënë: kush ka para të ndihmojë për tërmetin, nuk e ka për gjë ti falë edhe 5 euro.
Mosmirnjohje, cinizëm dhe sens të këtillë shkëputjeje nga realiteti, zor se mund të dëgjohen edhe në ditë normale.
Sesa bllof doli Rama me atë që deklaroi, e tregoi më pas rrjedha e ngjarjeve.
Nuk kaloi shumë kohë pas gafës së kryeministrit dhe vetë kompania koncesionare e rrugës së kombit, që as në ëndrrat e saj më të këqia se ka imagjinuar ti kundërvihet shefit të madh, u detyrua të deklarojë se e hiqte taksën e rrugës për ata që sillnin ndihma nga Kosova.
Presioni sa vinte dhe rritej dhe të gjithë e kuptonin se është idiotsi të taksosh dikë që vjen për të të dhuruar. Prandaj dhe koncesionari, më shumë u përpoq të ruante imazhin e bisnesit të tij, sesa nderin e nëpërkembur të kryeministrit.
Në këtë episod, që u ndoq direkt në tv, e rëndësishëme nuk është nëpërkëmbja publike e Ramës. As fakti që ai doli zbuluar.
Kryesore është të ngrihen disa pyetje që janë thellbësore për qeverisjen që ai na ofron. Si është e mundur që truri i tij është programuar për të ruajtur si të shenjtë privilegjet e një grushti njerëzish, përpëra solidaritetit të qindra mijra të tjerëve? Si është e mundur që moscënimi qoftë dhe një fije floku i interesit të një oligarku, të të verbojë përpara një bamirësie masive të qytetarëve të zakonshëm?
Si ka mundësi që të shpërfillësh cinikisht pjesën më bujare dhe humane të atyre që kërkojnë të shpërfaqin më të mirën e tyre, vetëm se dikush duhet të arkëtojë 5 eurot sa herë që ngrihet trau?
Përgjigjet e ketyre dilemave gjenden po të kthesh dhe rikthesh, videon në të cilën ai kundërshton pezullimin e taksës. Ai aty përgjigjet spontanisht, pa u menduar gjatë, madje është gati-gati ironik me ata që kanë çuar nëpër mendje një marrëzi e tillë.
Rama ngjan i bindur kur predikon se të drejtat e koncesionarit as duhen vënë në diskutim, po ashtu siç do fliste një murg që i vënë në pikpyetje ekzistencën e zotit.
Dhe pikërisht për këtë situata është më e rëndë.
Sepse, ndyshe nga sa mendon ndokush, Rama nuk është thjeshtë grabitësi me maskë, që dërgon në vilën e Surrelit, në selinë e PS-së, apo në parajsat fiskale, thasët me para që i dorëzojnë përfituesit e koncesioneve dhe PPP-ve të tij. Ndonëse për këtë se vë më askush dorën në zjarr, ai është shumë më keq sesa kaq. Ai është njeriu që po krijon si tipologji, sundimin e një grushti njerëzish mbi shoqërinë. Ai po modelon një lloj fashizmi ekonomik, ku Pinoçetin e kanë zhveshur nga përdorimi i dhunës dhe ku vendin e çikago boys-ave e kanë zënë aventurierët tranzicionit shqiptar.
Pikërisht kjo lloj mendësie, feje, apo besimi tek një rrugë qorre, si e vetmja mënyrë për të sunduar, e çoi kryeministrin në qëndrimin ekstremist dhe absurd, që të mbronte dhunimin me taksë të atyre që po nxitonin për të na dhuruar në një ditë të vështirë.
Vetëm kur u përmend, vetëm kur pa se si po shkërmoqej dogma e tij në kontakt me realitetin, vetëm kur vuri re se as koncesionari që kish marrë në mbrojtje nuk i dilte dot më për zot, Rama e kuptoi se çfarë gafe kishte bërë.
Dhe pikërisht aty nxori maskën tjetër. Atë fallco, të politikanit që nuk është me të fortët, por me viktimat.
Atë të Edit që di të preket nga vuajtjet, që është në gjendje të ngashërehet në publik dhe që i konsideron gjithë fatkeqëtqë po përjetojnë këtë tragjedi, njësoj si Gregun e tij.
Aq të madhe e kishte urgjencën ta vishte këtë maskë, sa nuk pyeti më as për respektimin e kodit të zisë. (Lapsi.al)