Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për shkak të komenteve të këtij të fundit për NATO-n.
Macron, në një intervistë për gazetën britanike The Economist ditë më parë, ka thënë se NATO-s “i ka vdekur truri”, për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis anëtarëve.
“Së pari, kontrollojeni vdekjen e trurit tuaj. Këto deklarata janë të përshtatshme vetëm për njerëzit si ju, që janë në gjendje të trurit të vdekur”, tha Erdogan në një fjalim televiziv.
“Më besoni, Macron është shumë i papërvojë. Ai nuk e di çfarë do të thotë lufta kundër terrorizmit. Kjo është edhe arsyeja përse Xhaketat e Verdha e kanë pushtuar Francën”, tha Erdogan, duke iu referuar një lëvizjeje protestuese në Francë.
Macron e kritikoi të enjten edhe ofensivën ushtarake të Turqisë kundër militantëve kurdë në Siri, që u zhvillua muajin e kaluar.
Erdogan tha se Ankarja ka të drejtë të ndërhyjë në Siri, për shkak të kufirit të përbashkët.