Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se 17 kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve në sezonin dimëror (14 për 7 regjionet e Kosovës dhe 3 kompani për autostrada), janë të gatshme me makineri dhe sasi të bollshme të kripës, që nga data 15 nëntor.
“Gjatë ditës së martë (03.12.2019) këto kompani, janë duke punuar në pastrim dhe hedhje të kripës në të gjitha regjionet, veçanërisht në zonat më malore ku reshjet janë më të dendura. Kompanitë do të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë, deri me datën 31 mars kur edhe përfundon sezoni dimëror i mirëmbajtjes së rrugëve dhe varësisht nga reshjet, data përmbyllëse mund të shtyhet”, ka thënë MIT në njoftimin për medie.
Ministria ka bërë me dije se është përgjegjëse vetëm për rrugët rajonale, nacionale, magjistralet dhe autostradat, ndërsa ato lokale mbeten në përgjegjësi të komunave.
MIT u ka bërë lutje qytetarëve që të jenë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, duke respektuar rregullat e komunikacionit.