PRISHTINË | 16 DHJ 2019 | Nga KosovaLive
Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka komentuar situatën aktuale në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, duke komentuar situatën aktuale politike në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është duke luajtur një lojë të fshehtë me Vjosa Osmanin, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi, ka shkruar se e gjithë kjo lojë e Kurtit është duke u bërë për të shkuar në zgjedhje të reja.
Tutje Krasniqi, ka shkruar se këtë lojë të Kurtit nuk janë duke e kuptuar as Osmani dhe as veteranët e LDK-së.
Profesori universitar po ashtu ka thënë se nëse ndodhë kjo, atëherë fitorja e Kurtit mund të jetë më e madhe së më 6 tetor.
Postimi i plotë i Krasniqit pa ndërhyrje:
VJOSA OSMANI NDËRMJET DY ZJARREVE
Albin Kurti po e luan këtë lojë me Vjosa Osmanin për një arsye të fshehtë, ai po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja.
Nëse Vjosa Osmanin arrin ta konsumojë, atëherë fitorja e tij mund të jetë më e madhe se sa më 6 tetor.
Këtë truk të Albin Kurtit nuk është duke e kuptuar as Vjosa Osmani e as veteranët e LDK-së.
Në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar.
Lëvizja Vetëvendosje ka treguar gjenerozitet hileqar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u pajtuar që postin e presidentit t’ia japë partisë rugoviste, që njihet si parti presidenciale.
Kushti i vendosur nga Vetëvendosje është shumë hileqar, por i dukur si miqësor: kërkojnë që në atë post të zgjidhet Vjosa Osmani.
Pra, Vetëvendosje po kërkon diçka që nuk është jonormale për një parti demokratike: po kërkon të caktojë kuadrot e LDK-së.
Në rastin e Vjosa Osmanit, partia e Kurtit ka një pertekst që të jetë gjeneroze, pasi ajo ia mundësoi fitoren Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit. Vetëvendosje ka shprehur dëshirë ta shpërblejë zonjën Osmani, e cila ka merita të mëdha për fitoren e Albin Kurtit.
Sipas një teorie, po të mos ishte Vjosa Osmani e vendosur që ta humbte garën, Kurti nuk do ta fitonte garën. Gabimet e saj në fushatë kanë ardhë si pasojë e presioneve psikologjike që ka pasur nga veteranët e partisë së saj.
Duke bërë përpjekje që të dukej shumë e fortë, ajo u tregua shumë arrogante, çka përballë një Albin Kurti të moderuar, e paraqiti si alternativë më të keqe.
Ndërsa, aktiviteti i zonjës Osmani në promovimin e fitores së Vetëvendosjes ka qenë i madh që nga shpallja e rezultateve preliminare në natën e 6 tetorit.
Nuk iu nda Kurtit as në udhëtime jashtë vendit e as në momentin e nënshkrimit të deklaratës si deputete e re. Vjosa Osmani ka deklaruar me të drejtë se nuk i jep llogari Agim Veliut.
Kjo është e kuptueshme, pasi ajo po i jep llogari Albin Kurtit. Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, do të bënte ta harronim presidenten e zarfit të Kristofer Dellit. Emri që ka nxjerrë na zarfi Albin Kurti është shumë më pak korrekt. Meqë ende nuk ka pasur ndonjë demantim nga ana e Vjosa Osmanit, atëherë ajo shihet si kandidate e LDK-së e propozuar nga Vetëvendosje. Por, kjo faktikisht e ka futur Vjosa Osmanin ndërmjet dy zjarreve, në njërën anë veteranët e LDK-së që duan ta ngulfatin politikisht, në anën tjetër Albin Kurti po e konsumon politikisht. Albin Kurit po e luan këtë lojë me Vjosa Osmanin për një arsye të fshehtë, ai po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja. Nëse Vjosa Osmanin arrin ta konsumojë, atëherë fitorja e tij mund të jetë më e madhe se sa më 6 tetor.
Këtë truk të Albin Kurti nuk është duke e kuptuar as Vjosa Osmani e as veteranët e LDK-së.
Në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar.