PRISHTINË | 16 DHJ 2019 | Nga Enver Hoxhaj
Informacioni është shndërruar në armë të fuqishme në luftën e re asimetrike e jo-lineare të Rusisë kundër Perëndimit. Fushëbetejë vazhdon të jetë Ballkani.
Në mes të shënimit të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit dhe përvjetorit 70 të themelimit të NATO-së, një shtetas rus vizitoi një ekspozitë anti–NATO në Serbi. Aleksandër Dugin po shihte fotografitë e ekspozuara në galerinë e hapur në Beograd me sloganin “Mbrojtja 78”, në nëntor të këtij viti. Dugin nuk ishte vetëm. Ai po shoqërohej nga ministri serb i mbrojtjes, Aleksander Vulin dhe aty tregoheshin fotografi nga bombardimet me 1999. Në komunikatën e lëshuar nga ministria serbe binte në sy një citat i çuditshëm i Aleksander Dugin i dhënë për mediat e atjeshme se “këtu fillon fundi i hegjemonisë amerikane”. Dugin është vizitor i shpeshtë i Ballkanit, por nuk është një turist i zakonshëm që shquhet për pjesëmarrje në ekspozita të tilla. Ai nuk është thjesht një intelektual rus që ka shkruar disa libra për politiken ndërkombëtare dhe hapësirën ish-sovjetike. Dugin është shumë më shumë se aq!
Aleksandër Dugin është një filozof fashist dhe si strateg gjeopolitik i Kremlinit, ka qëndruar disa herë në Ballkan. Me 2018, ai prezantoi në Beograd librin e tij të përkthyer në serbisht “Lufta me rrjete”. Po atë vit, në Shkup ai mbajti një fjalim para shume ultranacionalistëve maqedonas rreth misionit ortodoks të Rusisë në botën sllave. Aty ofronte një perspektivë për Maqedoninë që t’i bashkohet komunitetit euroaziatik me qendër Rusinë dhe kjo do të ishte alternativa ndaj integrimit në BE. Ndër të tjera, ai deklaronte se “Perëndimi është duke rënë së bashku me Bashkimin Evropian”. Këtë njeri, me dukjen e një prifti ortodoks dhe bashkëmendimtarët e tij ideologjik rreth portalit “Geopolitica” i gjen kudo ku Rusia ka nxitur konflikte: Në Gjeorgji gjatë konfliktit në Osetinë Jugore më 2008; në Ukrainë gjatë aneksimit të Krimesë më 2014; në Mal të Zi gjatë përpjekjes për puq kundër Milo Gjukanoviqit më 2016. Burimet flasin se disa organizata në veri të Kosovës dhe OJQ serbe janë nën direktiva apo edhe financohen nga rrethi i tij pansllavist rus – njerëz që kanë pikëpamje të errëta fashiste për Kosovën dhe shtetet perëndimore.
Dy përvjetorët e përmendur më sipër natyrisht që janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Nuk mund të ndodhte në asnjë mënyrë rënia e një muri në mes të Evropës pa rolin e jashtëzakonshëm të NATO-së gjatë Luftës së Ftohtë. Për të dyja këto ngjarje, u nxorr një bilanc mbi arritjet, çfarë shkoi mirë dhe ku është gabuar. Brenda dhe jashtë BE-së është diskutuar shumë mbi rëndësinë e 1989, veçmas në fokus ishin ngjarjet dhe proceset që sollën ndryshimin e madh pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes sovjetike. Por sot shtrohet pyetja ku jemi pas vitit 1989, në një Evropë gjithnjë e më të përçarë politikisht nga populizmi gjithnjë në rritje dhe polarizimi brenda e jashtë? Në shënimin e vitit 30 jubilar, krye tema e njëjtë ishte edhe në Evropën Juglindore, dikur njëra nga zonat e pushtuara dhe kërcënuara drejtpërdrejt nga sovjetikët. Por, një pyetje që nuk u shtrua këtë herë ishte se cila është politika ruse në raport me Ballkanin pas vitit 1989? Ku mund të gabojmë sot në raport me politikën ruse në rajon? Çfarë rreziku përbën Rusia për stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë?
Viti 1989 ndryshoi çdo gjë në politikën ndërkombëtare. I dha fund komunizmit dhe Luftës së Ftohtë, përshkallëzoi fillimin e shpërbërjes sovjetike dhe hapi dyert për bashkimin e Gjermanisë. Mbi të gjitha, SHBA u shqua si superfuqia e vetme, duke vendosur supremacinë amerikane dhe udhëhequr botën drejt një procesi të globalizmit, me përfitime për shoqëri në gjeografi të ndryshme. Historianët ofrojnë statistika se mes viteve 1500 deri më 1945 pothuajse çdo dy vjet kishte luftëra në mes shteteve të fuqishme për dominim në Evropë dhe jashtë saj. Ekonomistët llogarisin që në këto shtatë dekada pas vitit 1945, si rezultat i rritjes ekonomike (diku 3.5 GDP) 4 miliardë banorë e tejkaluan varfërinë.
Veçanërisht, pas vitit 1989, rendi botëror i ri që lindi ishte një rend amerikan, i bazuar më shumë në parime dhe vlera sesa në logjikën e vjetër të politikës së fuqisë së dominimit mes kombeve. Njëkohësisht, BE-ja me zgjerimin e saj drejt vendeve ish-komuniste dhe me ngritjen që përjetoi, u bë një fuqi e re rajonale e pazëvendësueshme. BE-ja ishte manifestim i fuqisë së butë që rrezatonte përtej kontinentit të vjetër. Kurse globalisht, një valë e madhe e demokratizimit zëvendësoi komunizmin apo edhe forma të tjera të sistemeve politike të mbyllura duke vendosur demokracinë dhe ekonominë e tregut. Ishte fitorja më e madhe e liberalizimit.
Ky ndryshim përfshiu edhe Ballkanin. Formimi i shteteve të reja u mundësoi shumë kombeve jetësimin e idealeve të pavarësisë së tyre. Ngritja e Amerikës dhe BE-së mundësoi edhe ngritjen e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Kosovës së pavarur. Një vështrim në hartë tregon që më shumë se gjysma e Evropës Juglindore është pjesë e BE-së dhe shumë shtete janë anëtare të NATO-së. Anëtarësimi para dy vitesh i Malit të Zi në NATO dhe këtë vit i Maqedonisë së Veriut janë lajmet më të mira. Pas anëtarësimit të Kroacisë në BE më 2013, vende të ndryshme të Ballkanit janë në faza të ndryshme të integrimit, me lëvizje përpara apo edhe ngecje. Arsyet janë të shumta duke nisur nga fakti që BE-ja apo shtetet anëtare si Franca janë të papërgjegjshme apo edhe për shkak të mos përmbushjes së shumë kritereve të vëna evropiane nga ana e vendeve ballkanike. Në këtë frymë, Kosova vazhdon të mbahet në geto pa ndonjë shpjegim serioz për mos liberalizimin e vizave.
Pas vitit 1989, ndodhi jo vetëm jetësimi i lirive të popujve, por edhe lirive individuale. Jeta ndryshoi në Ballkan sa i takon punësimit, rritjes ekonomike dhe kohezionit social. Megjithëatë, të gjitha vendet ballkanike në shumë fusha të jetës ofrojnë shërbime të standardit të ulët dhe GDP për kokë të banorit është shumë e ulët në krahasim me BE. Kjo është një tregues se vendeve të mbetura jashtë BE-së do t’iu duhen edhe dy dekada për ta arritur atë nivel të GDP për t’u bërë pjesë e BE-së. Një gjë e tillë u pasqyrua para pak kohësh në një raport i Bankës Botërore. Sidoqoftë, popujt e Ballkanit asnjëherë nuk kanë jetuar më mirë historikisht, sesa në dy dekadat e fundit.
Disa e kanë quajtur 1989 si një vit të madh. Të tjerët kanë folur në vitet 90-ta për fundin e historisë, meqë me këtë ndryshim global – me përhapjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe ekonomisë së tregut – historia ka përmbushur qëllimin e saj. Sot ka një diskurs të ri për rikthimin e historisë. As fundi e as rikthimi i historisë nuk janë parametra serioz për një qasje strategjike apo veprim politik. Më serioze dhe shqetësuese është përpjekja e Rusisë për të rikthyer ndikimin e saj në një formë të re dhe me metoda komplekse në Ballkan.
Për një kohë ka ekzistuar një bindje se rajoni po transformohej plotësisht dhe se ambicia për rivalitet i takon të kaluarës. Mirëpo, veprimet e Rusisë sot flasin për të kundërtën. Kjo nuk është thjesht një përplasje e interesave siç argumentohet herë pas here në Moskë. As nuk është fjala thjesht për manifestim të rritjes së ndikimit. Mirëpo, ka një rikthim të gjeopolitikës, gjeoekonomisë dhe gjeokulturës në një formë dhe intensitet që para disa vitesh ishte përtej imagjinatës.
Rusia historikisht ka pasur interesa në Ballkan. Madje, rivaliteti ruso-perëndimor ishte ndër më të mëdhatë në këtë rajon. Mirëpo, sot përmes narracionit të “vëllazërisë sllave” ideologë rusë promovojnë ringjalljen e saj. Libra dhe shkrime janë botuar kohëve të fundit në qendra të rajonit rreth rolit historik rus në formësimin e fatit të popujve sllavë. Fokusi është edhe tek lidhjet e veçanta etno-kulturore, dhe gjoja përputhshmëria e interesave gjeopolitikë të disa vendeve ballkanike me Rusinë. Është një përpjekje për ta rikthyer një perceptim të vjetër historie që gjoja këta popuj janë zgjatje e sferës ruse e ortodokse; që ata janë pjesë e misionit të madh ortodoks.
Vizita të tilla si ajo e Dugin, ngjarje dhe veprime tjera të padukshme janë pjesë të asaj që njihet si luftë informative. Ajo ka të bëjë me manipulimin e opinionit publik, dezinformimin, lajmet e rreme, manipulimin e rrjeteve sociale dhe shumë qasje të tjera manipulative. Kjo veprimtari është pjesë e diçkaje më të madhe si një lloj “lufte jo-lineare dhe asimetrike” e mbështetur nga struktura shtetërore për t’u shërbyer interesave strategjike ruse. Sido qiftë, këto struktura shtetërore asnjëherë nuk asocohen publikisht me ngjarje apo veprime të tilla dhe mohojnë qëllimet e vërteta. Sot Rusia zbaton në rajon një politikë komplekse për ndikim, duke investuar kohë, energji dhe burime të ndryshme. Përtej këtij rreziku të vazhdueshëm, natyrisht nuk mund të ndodhë një rikthim i agresionit rus në Ballkan në mënyrën se si ndodhi në Gjeorgji apo Ukrainë përmes pushtimit të territoreve dhe duke shkelur rregullat ndërkombëtare. Por, çështja është si të parandalohet Rusia sot, e cila duke projektuar statusin e një fuqie mundohet të arrijë të imponojë ndikim shumëdimensional në rajon.
Lajmet e rreme janë vetëm shfaqja më e gërditshme e luftës informative, ndërsa Alxander Dugin është vetëm një lloj “ambasadori i kërcënimeve hibride”. Ai dhe rusët e tjerë të këtij soji duan që ta kthejnë prapa historinë. Qëllimi i tyre është përmbysja e botës pas 1989, i demokracisë liberale dhe rendit aktual botëror. Këto kërcënime hibride kanë të bëjnë edhe me metoda dhe instrumente të shumta si: presioni politik, shoqëror e deri te ai ekonomik. Rusia është po aq brutale duke përdorur edhe instrumentet e tjera për ndikimet mbi rajonin përmes atyre politike, diplomatike, ekonomike, energjetike dhe ushtarake. Të tilla instrumente dhe metoda nuk janë të pakëta.
Në këtë kontekst shumëdimensional, Serbia dhe Republika Srpska në Bosnjë janë zgjatje e Rusisë. Ato dhe vendet e tjera pro-ruse janë platformat më të mira për të zgjeruar metodat e luftës hibride te fqinjët e tyre. Në rrafshin bilateral, përmes marrëveshjeve të arrittura dhe përmes organizatave ndërkombëtare, Rusia synon t’i vendosë shtetet e rajonit në një ndërvarësi politike. Nëse aspekti kulturor përpiqet të ndikojë në botëkuptimet e njerëzve, aspekti politik i ndikimit ka të bëjë me atë se a mund të përdoren shtetet e caktuara në rajon si figura të shahut në lojën e saj gjeopolitike. Këtu interesi kyç rus është të ngadalësojë dhe bllokojë anëtarësimin e pjesës së mbetur të rajonit në strukturat euroatlantike. Shembujt e Malit të Zi në tetor të vitit 2016 dhe të Maqedonisë në muajin prill të vitit 2017 me disa përpjekje hibride, pjesërisht të dhunshme, ende janë të freskëta në kujtesën tonë.