E HËNË, 23 DHJETOR 2019 | KOSOVALive
Është mbajtur sot takimi i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e kryesuesit Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Kryesuesi i Asamblesë, Bashkim Hyseni, nisi takimin me diskutimin e zbatimit të Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore nga gjykatat, duke propozuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) të nxjerrë një rekomandim për gjykatat, që të fillojnë të raportojnë në baza mujore rreth zbatimit të këtij udhëzuesi, duke filluar nga Departamentet e krimeve të rënda dhe Departamenti Special, me qëllim të harmonizimit të politikës ndëshkimore në të gjitha gjykatat.
Si pikë tjetër, u diskutua anulimi i vendimeve gjyqësore dhe mënyrat e ngritjes së standardit dhe cilësisë së vendimeve. Kryetari Hyseni, kërkoi që KGjK ta trajtojë këtë çështje së bashku me Gjykatën e Apelit, Akademinë e Drejtësisë dhe Kryetarët e Gjykatave Themelore, në mënyrë që të minimizohen shkaqet e vendimeve të anuluara.
Gjatë këtij takimi, u kërkua që kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës, të dërgojnë propozimet, komentet apo idetë e tyre rreth Planit Strategjik 2020-2023 për gjyqësorin e Kosovës, në mënyrë që të përfundohet një plan sa më praktik.
Kryesuesi Hyseni kërkoi nga KGjK që të krijojë një komision të gjyqtarëve për të analizuar shtyrjen e seancave gjyqësore, në mënyrë që komisioni të japë një rekomandim për reduktimin e numrit të seancave të shtyra.
Anëtarët e Asamblesë u njoftuan rreth vendimit të KGjK-së për caktimin e gjyqtarëve mbikëqyrës si anëtarë të Asamblesë për vitin 2020, gjyqtarët mbikëqyrës të degëve: Lipjan, Viti, Dragash, Zubin Potok, Rahovec, Istog dhe Shtërpcë
Kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, njoftoi anëtarët se fokusi më i madh i KGjK-së gjatë vitit 2020, do të jetë trajtimi i lëndëve të korrupsionit në aspektin e ecurisë dhe zgjatjes së tyre.