PRISHTINË | 11 JAN 2020 | Nga KosovaLive
Rreth 15 shkelje i ka identifikuar Gjykata e Apelit, që ka bërë trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë për mënyrën se si ka gjykuar dhe dënuar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretarin e MSH-së, Gani Shabani.
Të akuzuarit në aferën e njohur si “Stenta”, Agani e Shabani, do të rigjykohen për veprën penale të korrupsionit.
Megjithatë, aktvendimi i Gjykatës së Apelit, që e ka rikthyer këtë lëndë në rigjykim, ka nxjerrë shkelje e huqje të shumta të gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Disa nga “argumentet” e Prokurorisë Speciale që Gjykata Themelore në Prishtinë i ka marrë për bazë kur ka dënuar Aganin e Shabanin, Apeli i ka konsideruar të pamjaftueshme, konfuze, e të pasakta.
Nga aktvendimi del që gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë bërë edhe shkelje elementare. Dëmin e pretenduar prej 4.5 milionë eurosh në aferën Stenta” e kanë cilësuar “dëm të konsiderueshëm”. Dëm i konsiderueshëm është dëmi vetëm deri në 15 mijë euro.
Apeli ka vë në pikëpyetje nëse gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilët e kanë gjykuar këtë rast, e dinë dallimin në licencimin e spitaleve private me licencimin e profesionistëve shëndetësorë- procese plotësisht të ndryshme këto.
Vendimi i Apelit ka vënë në pah edhe “konfuzionin” e tre gjyqtarëve të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë për atë nëse e kuptojnë me saktësi se si kryhet vepra penale e korrupsionit në bashkëkryerje. Ky trup gjykues “bashkëpunimin” për një vepër penale, dhe ndikimin tek dikush për ta kryer një vepër penale në të dy rastet e konsiderojnë bashkëkryerje.
Si në pak aktvendime të Gjykatës së Apelit karshi aktgjykimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kësaj radhe trupi gjykues ka gjetur shkelje të shumë dispozitave nga trupi gjykues, i cili pati vendosur t’i dënojë për korrupsion Aganin e Shabanin.