Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë të martën për RTK-në se KQZ-ja është e gatshme t’i organizojë zgjedhjet e reja, sa herë që ato shpallen nga institucionet e vendit. Ai ka bërë të ditur se në situatën në të cilët aktualisht ndodhet vendi, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, përgatitjet do t’i nisin vetëm pas vendimit nga Presidenti i vendit për shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat të cilat do të dalin sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Po ashtu duhet ta dimë edhe një fakt se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me përgatitjen intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të shpallet ai”, ka thënë Elezi.
Ndërkaq, sa i përket mosemërimit të dy anëtarëve të KQZ-së, Elezi tha se kjo nuk paraqet problem të madh, meqë kuorumi arrihet me 7 anëtarë, ndërkaq aktualisht janë 9 nga 11 anëtarë, sa duhet të ishin, e që parashihet me Kushtetutën e vendit.
“Kuorumi që është i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjeve dhe marrja e vendimeve janë të arritshme por, sigurisht që përbërja komplete do të ndihmonte dhe lehtësonte punën e KQZ-së”, shtoi Elezi.
I pyetur për koston e zgjedhjeve eventuale të jashtëzakonshme, Elezi tha se një gjë e tillë, nuk mund të parashikohet që tani. Ndryshe, dy vite më parë, kostoja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme ishte mbi 4 milionë euro.