Shkruan: Andi Bushati
Ramush Haradinaj nuk është një ëngjëll. Përtej aureolës së komandantit trim të UÇK, që ende mban të varrosur në pragun e shtëpisë në Gllogjan dëshmorët që familja e tij i dha Kosovës, qëndron njeriu që nuk e kanë shpënë fare kot dy herë në Hagë, nga ku doli i padënuar pasi dëshmitarët ishin zhdukur.
Ramush Haradinaj nuk është as një idealist naiv. Përtej dashurisë patetike për Kosovën, qëndron kryeministri që mori vendim ti rrisë pagën vetes se i duheshin më shumë kravata, qëndron njeriu që theu rekordin e numrit të zëvendësministrave duke e përdorur shtetin si kamaradare për ekuilibrat e pushtetit, qëndron lideri që i mbushi bordet publike me militantë dhe familjarë.
Ramush Haradinaj aq më pak është një politikan parimor. Ai që, sëbashku me Vetëvendosjen, i vuri flakën parlamentit dhe i mbyti kolegët e tij me gaz lotësjellës, për të mos i falur tokë Malit të Zi, kur erdhi puna për t’u bërë kryeministër, i tradhëtoi sa hap e mbyll sytë aleatët e dikurshëm, madje i haroi edhe ato 8 mijë hektarë për të cilat ishte betuar se do të derdhej gjak.
Pra, në këtë kuptim, ashtu si të gjithë heronjtë që kanë imponuar emrin dhe famën e tyre përmes grykës së pushkës, ai është i adhuruar pa kushte nga disa, po aq sa është i urryer nga të tjerë.
Por, ky personaliteti dyzuar, prej njeriu që ngjall po aq frikë sa edhe respekt, që i shërbën atdheut po aq sa edhe botës së nëndheshme të Rrafshit të Dukagjinit, që ndan, po aq sa edhe përbashkon, nuk u pasqyrua me të gjithë dritë hijet e tij në momentin që u thirr sërish nga gjykata speciale, duke e detyruar të heqë dorë nga kryesimi i qeverisë.
Çuditërisht rreth Ramush Haradinajt u krijua një empathi mbarë kombëtare e cila nuk kishte të bënte, as thjeshtë me lotët e derdhur live teksa lajmëronte dorëheqjen dhe as vetëm me faktin se qe ai që duhej të përgjigjej për të tretën herë përpara Hagës, ndërkohë që të singjashmit e vet vazhdojnë të shijojnë kolltuqet e pushtetit.
Jo, përreth kryeministrit në ikje u krijua një emocion më i madh që e tejkalon historinë e tij në të shkuaën dhe qeverisjen e tij të përditshme.
Kjo ndjenjë solidariteti që shpërtheu në të dy anët e kombit është e lidhur me qëndrimet e fundit të Ramushit, me mbrojtjen që ai i bëri takësës 100% ndaj produkteve serbe, dhe me vendosmrinë që tregoi kundër copëtimit të Kosovës.
Në sytë e shumëkujt, Haradinaj krijoi profilin e politikanit që i flet njësoj shqipëtarëve, po ashtu dhe Makronit apo Uashingtonit, ndryshe nga Edi Rama apo Hashim Thaçi që e kanë shndërruar politikën në teatër.