Live

A e dini se letra e aluminit pa kriter në kuzhinë mund të jetë e dëmshme?

22:20 / 19 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka nisur një fushatë informuese për ndërgjegjësimin për përdorimin korrekt të letrës së aluminit në kuzhinë.

Janë një seri rregullash për ruajtjen dhe gatimin e ushqimit pa shkaktuar asnjë rrezik për shëndetin.

Në bazë të analizave që u kryen së fundmi nga departamenti i kimisë i Universitetit të Milanos dhe nga Istituti për Shëndetin, në fakt, rezultoi se letra e aluminit është në gjendje të lëshojë grimca të cilat më pas migrojnë në ushqim.

Kjo ndodh kur letra e përbërë nga alumini vihet në kontakt me ushqimet me aciditet ose me ushqimet gjatë gatimit.

Më poshtë disa nga këshillat se si duhet përdorur

Përdorimi i mirë i aksesorëve të aluminit mund të kufizojë rreziqet

Ka shumë burime të aluminit dhe gjurmët e këtij metali gjenden tashmë në ushqime të shumta.

Një mënyrë e mirë për të kufizuar sa më shumë gëlltitjen e aluminit është të mësoni se si të përdorni letrën e aluminit në mënyrën më korrekte. Duke qenë se çlirimi i grimcave të aluminit nga materialet që e përmbajnë varet nga faktorë të ndryshëm, është mirë të njiheni me të gjitha shkaqet nxitëse për t’i shmangur ato sa më shumë.

Shumë faktorë të ndryshëm ndikojnë në çlirimin e grimcave të aluminit

Nga mënyra se si përdoret letra e aluminit deri tek përbërja e ushqimit me të cilin bie në kontakt, nga temperatura e ambientit dhe e ushqimit deri në kohën e ruajtjes, pra ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në çlirimin e grimcave të aluminit.

Rregulli i parë që duhet respektuar me përpikëri është mospërdorimi i letrës se alumini ose enëve prej këtij materiali në rastin e ushqimeve me aciditet ose të kripura.

Mos përdorni alumin me kaperi, açuge, limon ose uthull

Pra, kini kujdes kur duhet të ruani, konsumoni ose gatuani ushqime të kriposura, si kaperi, apo açuge.

E njëjta gjë vlen edhe për ushqimet që janë marinuar me lëng limoni ose uthull. Çdo ushqim i pasur me erëza aciditeti ose të kripura nuk është i mirë për t’u mbështjellë me letër alumini ose për t’u vendosur në një enë alumini.

Mos ripërdorni vasketat e aluminit

Një paralajmërim tjetër që Ministria e Shëndetësisë dëshiron të nënvizojë është ai i ripërdorimit të vasketave njëpërdorimshme. Ripërdorimi i tyre duhet shmangur absolutisht. Kur bëhet fjalë për vasketat është e rëndësishme t’i përdorni ato vetëm një herë.

Kini kujdes të mos gërvishtni shtresën e aluminit të tenxhereve dhe tiganëve

Një pikë tjetër e rëndësishme ka të bëjë me veshjen prej alumini të tenxhereve dhe tiganëve që nuk ngjisin. Duhet pasur kujdes që këto sipërfaqe të mos gërvishten dhe të mos dëmtohen me sfungjerë gërryes dhe ndonjë mjet të mprehtë.

Ruajtja në temperaturën e dhomës nuk është e përshtatshme për të gjitha ushqimet

Është mirë të dini (ose të rikujtoni ) se vasketat e aluminit janë të përshtatshme për ruajtjen e ushqimeve vetëm kur vendosen në frigorifer.

Megjithatë ka disa lloje ushqimesh që mund të qëndrojnë në kontakt me aluminin në temperaturën e dhomës për më shumë se 24 orë.

Le të shohim më poshtë se cilat ushqime mund të ruhen në këtë mënyrë pa iu drejtuar ambienteve frigoriferike.

Ndër ushqimet që mund t’i ruani të mbështjella në letër ose në enë alumini në temperaturë ambienti janë kakaoja, çokollata, kafeja dhe sheqeri.

Ok për erëzat dhe barishtet

Erëzat dhe barishtet mund të ruhen gjithashtu në temperaturën e dhomës, duke i mbështjellë me fletë alumini ose duke i vendosur në enë që përbëhet nga një material i tillë

Dritë jeshile për konservim me letër alumini në temperaturën e dhomës janë edhe produktet e bukës, makaronat e thata apo produktet e pjekura.

Drithërat dhe bishtajoret e thata, mund të ruhen gjithashtu në temperaturë ambienti

Frutat e thata, kërpudhat e thata dhe perimet e thata nuk kërkojnë frigorifer

Bajamet mund të vendosen gjithashtu në enë alumini në temperaturën e dhomës për më shumë se 24 orë.

Rreziku toksikologjik i aluminit tek të rriturit është i kufizuar

Megjithatë, nuk duhet alarmuar, duke qenë se kur bëhet fjalë për konsumatorët e rritur, rreziku toksikologjik i aluminit është i kufizuar, siç thekson Ministria e Shëndetësisë.

Tek të rriturit e shëndetshëm, përthithja është më e dobët.

Por, për të sapolindurit, foshnjat, fëmijët nën 3 vjeç, gratë shtatzëna, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje të veshkave, duhet treguar kujdes i veçantë, pasi janë më të prekshëm ndaj toksicitetit të aluminit.

Këshilla është gjithmonë që të informoheni me qëllim që të thithni sasinë më të vogël të mundshme të këtij metali.

Alternativat më të qëndrueshme dhe të sigurta

Duke qenë një metal i karakterizuar nga një toksicitet i caktuar dhe gjithashtu një material që kërkon shumë burime për nxjerrjen dhe asgjësimin, një mënyrë e virtytshme do të ishte zgjedhja e alternativave më të qëndrueshme dhe më të sigurta.

Për të gatuar ushqimin, për shembull, mund të përdoren enët prej balte dhe çeliku, si dhe enët e furrës prej qeramike.

Në vend të kësaj, për të ruajtur ushqimin, mund të zgjidhni një enë qelqi, shumë më e sigurt për shëndetin.

Në rast pikniku ose ushqimesh jashtë qytetit, mund të zgjidhni alternativa të tjera më të sigurta dhe më miqësore edhe me mjedisin.

Shpërndaje në

U Kopjua