Për disa femra, menstruacionet janë të rregullta e të përpikta si ora, ndërsa për disa të tjera janë të paparashikueshme dhe mund të vijnë papritur. Madje, ndonjëherë ato nuk vijnë fare! Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeni shtatzënë. Shkaqet e zakonshme të menstruacioneve të parregullta variojnë nga luhajtjet hormonale deri në çështje serioze mjekësore.
A është normale kjo gjendje?
Ekzistojnë dy momente në jetën e një gruaje, kur është normale të ketë menstruacione të parregullta: në pubertet dhe në fillim të menopauzës. Mesatarisht, shumica e grave i kanë menstruacionet e tyre çdo 28 ditë. Por një cikël menstrual, në një grua të shëndetshme mund të zgjasë nga 21 deri në 35 ditë. Përveç pubertetit, menopauzës dhe shtatzënisë, menstruacionet e humbura mund të jenë tregues i problemeve shëndetësore.
A është e mundur të vonohen menstruacionet për një muaj?
Po, mund të keni vonesë madje dhe mungesë menstruacionesh, për një muaj të tërë. Faktorët që ndikojnë përfshijnë stresin, peshën e ulët të trupit, shtimin në peshë, sindromën e vezores policistike (PCOS), përdorimin e pilulave kontraceptive, sëmundje të caktuara kronike, perimenopauzën e hershme dhe sëmundjet e tiroides.
Po cilat janë faktorët që shkaktojnë vonesën apo mungesën e menstruacioneve?
Stresi. Stresi është një nga arsyet më të shpeshta, që mund të rezultojë në një ç’ekuilibër hormonal dhe madje të ndikojë në hipotalamus – pjesa e trurit që ndihmon në rregullimin e menstruacioneve tuaja. Ai gjithashtu mund të shkaktojë humbje ose fitim të papritur të peshës ose sëmundje të tjera. Stresi mund të lindë nga shumë faktorë si udhëtimi, çështjet profesionale, marrëdhëniet sociale, problemet emocionale, çështjet financiare, etj.
Pesha e ulët e trupit. Pesha e ulët e trupit është gjithashtu një arsye e mundshme. Femrat me çrregullime të ngrënies përfshirë bulimia ose anoreksia nervore mund të kenë mungesë të menstruacioneve. Nëse pesha e trupit tuaj është nën 10 përqind të intervalit normal për gjatësinë tuaj, atëherë kjo mund të shkaktojë frenim të proçesit të ovulimit, për shkak të ndryshimeve hormonale.
Aktiviteti i shtuar fizik. Atletët dhe personat që ushtrojnë aktivitet intensiv fizik ose që marrin pjesë në format ekstreme të stërvitjes si maratona, gjithashtu mund të pësojnë crregullime menstruale.
Obeziteti. Në mënyrë të ngjashme me peshën e ulët të trupit, obeziteti gjithashtu mund të rezultojë në ndryshime hormonale, që çojnë në mungesë të menstruacioneve.
Sindromi i vezores policistike (PCOS). PCOS është një gjendje në të cilën trupi prodhon më shumë hormone androgjene se normalisht. Për shkak të këtij ç’ekuilibri hormonal, formohen ciste në vezore, duke e bërë ovulacionin të parregullt ose duke e ndaluar atë krejtësisht. Kjo rezulton në humbje mestruacionesh.
Përdorimi i kontraceptivëve. Përdorimi i pilulave kontraceptive për parandalimin e shtatzënive të padëshiruara, mund të sjellë ndryshime në ciklin menstrual. Kontraceptivët përmbajnë hormonet progesteron dhe estrogjen, të cilat parandalojnë vezoret të lëshojnë vezë (pengojnë proçesin e ovulacionit). Mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, që cikli juaj menstrual të bëhet përsëri i rregullt, pas ndalimit ose fillimit të marrjes së pilulave për kontrollin e lindjes. Lloje të tjera të kontraceptivëve hormonalë që injektohen ose implantohen gjithashtu mund të shkaktojnë mungesë menstruacionesh.
Sëmundjet kronike dhe përdorimi i medikamenteve. Disa sëmundje kronike si sëmundja celiac dhe diabeti gjithashtu mund të ndikojnë në ciklin tuaj. Ndryshimet e sheqerit në gjak mund të shkaktojnë ndryshime hormonale dhe diabeti i pakontrolluar mund të shkaktojë cikël të parregullt. Sëmundja celiac shkakton inflamacion në traktin intestinal dhe parandalon trupin, të thithë lëndë ushqyese jetike. Kjo gjithashtu mund të shkaktojë menstruacione të vonuara.Disa femra përjetojnë humbje menstruacionesh për shkak të medikamenteve të tilla si ato kundër depresionit, antipsikotikët, ilaçet e kimioterapisë dhe ilaçet për të trajtuar hipertensionin.
Gjendra e tiroides: Gjëndra tiroide rregullon metabolizmin e trupit, duke ndikuar në shumë proçese në organizëm. Tiroidja hipoaktive apo hiperaktive ndikon në nivelin e hormoneve dhe rrjedhimisht edhe në ciklin menstrual.