Live

A ka vërtet truri një gjini?

16:08 / 06 Mars 2023

Nga Kosova Live

Sa herë kemi dëgjuar thënie të tilla si “vajzat janë më të përshtatshme për shkencat humane, djemtë për ato shkencore”, “gratë janë duke bërë shumë detyra, burrat mund të bëjnë vërtet vetëm një gjë në të njëjtën kohë, por e bëjnë mirë”? Aq shumë, sa tashmë janë kthyer në klishe universale.

Po për shkencëtarët a ekziston vërtet ky dallim biologjik?

“Për vite me radhë ka pasur një diskutim të madh mbi ndryshimin e mundshëm midis trurit të mashkullit dhe atij femëror. Për momentin, ajo që duket se na tregon literatura shkencore është se nuk ka dallime të rëndësishme në “hardware”, d.m.th. në strukturën aktuale të trurit. Dallimi i vetëm është ai në madhësi, ku truri i femrës është rreth 11% më i vogël se truri i mashkullit, ndryshim në përpjesëtim të drejtë me ato të trupit,” thotë neuroshkencëtarja Michela Matteoli, për Vanity Fair Italia.

Sipas një studimi të vitit 2013, u vërtetuan disa ndryshime në lidhjet nervore, kryesisht anteriore-posteriore, brenda secilës hemisferë, tek meshkujt dhe midis dy hemisferave tek femrat. Por ky studim është kryer mbi të rinj nën 22 vjeç dhe nuk është konfirmuar tek më të rriturit.

Kundërshtimi në fakt është se këto eksperimente janë kryer në grupe shumë të vogla, ose në grupmosha specifike dhe nuk janë konfirmuar në mosha të ndryshme, janë kryer me teknika heterogjene dhe janë analizuar me metoda të cilat më vonë kanë rezultuar të jenë jo plotësisht adekuate dhe e gjithë kjo ka krijuar një konfuzion të madh.

Për momentin, pikëpamja e përbashkët është se nuk ka tru femër dhe mashkull dhe se truri është një mozaik karakteristikash.

Pra, a mund të flasim për stereotipe të pastra gjinore?

“Sigurisht, burrat dhe gratë janë të ndryshëm, për shumë faktorë, biologjikë, hormonalë dhe kulturorë. Është gjithashtu e mundur që gjatë fazave specifike të zhvillimit (p.sh. adoleshencë) të shfaqen edhe dallime strukturore kalimtare. Por pyetja nëse ka sjellje të lindura mashkullore, apo femërore dhe mbi të gjitha që këto varen nga një strukturë tjetër e trurit, do të thosha, në bazë të të dhënave më të fundit, është krejtësisht e përjashtuar,” shpjegon neuroshkencëtarja Michela Matteoli.

Megjithëse truri është, në fakt, përgjegjës për prodhimin e hormoneve, të cilat tek një mashkull marrin formën e testosteronit dhe tek një femër të estrogjenit dhe progesteronit, edhe në këtë rast nuk mund të themi se truri ka seks.

“Nëse deri më sot nuk ka dëshmi të dallimeve të qëndrueshme në harduerin (strukturën) e trurit, sigurisht që ka dallime në softuer (funksionim). Kjo për shkak të ndikimit të hormoneve. Mbani mend se qelizat e trurit shprehin receptorët për hormonet, estrogjenin dhe testosteronin. Por jo vetëm. Sot ne e dimë se ekziston një ndërveprim i fortë midis sistemit imunitar dhe sistemit nervor dhe sistemi imunitar ka karakteristika dhe mënyra të ndryshme të zhvillimit te burrat dhe gratë. Edhe mikrobioma e zorrëve, për të cilën ne e dimë se ndikon në funksionin e trurit, ndryshon midis gjinive. Pra, truri mund të ketë mënyra të ndryshme funksionimi midis burrave dhe grave. Por le të flasim për metoda, strategji, të cilat mund të ndryshojnë në faza të ndryshme të jetës ose në situata të ndryshme. Nuk ka ndarje strukturore për asnjërin gjini, për asnjë mënyrë funksionimi,” tha Matteoli.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...