Live

A u hakmor ministrja Haxhiu ndaj kryeinspektorit të burgjeve pasi ai tha se Astrit Dehari nuk ishte vrarë?

18:41 / 13 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ministria e Drejtësisëm e cila drejtohet nga Albulena Haxhiu, ka informuar sot se është shkarkuar kryeinspektori Ylber Topalli, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Siç ka potencuar ministria, sipas Komisionit Disiplinor, Topalli ka bërë një sërë shkeljesh ligjore.

MD ka shtuar se Topalli ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin Dehari.

“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjell në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bartë detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit. Po ashtu, i njëjti ka hartu dy raporte kontradiktore lidhur me rastin: Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, ka bërë të ditur MD, shkruan Demokracia.com.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

A mund të jetë hakmarrje shkarkimi i Topallit pas deklaratave për rastin Dehari?

Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeinspektor i burgjeve të Kosovës, Ylber Topalli kishte thënë se ai ka zero dyshime që aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari është vrarë nga dikush.

Duke folur në Pressing, Topalli ka thënë se s’ka asnjë dyshimtë që dikush ka mundur t’ia shkaktojë vdekjen Deharit në ditën e 5 nëntorit 2016.

“Dyshimet e mia si kryeinspektor që Astrit Dehari është vrarë, janë zero”, pati thënë ai.

Topalli e ka akuzuar avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashi se po trazon atë familje dhe të gjithë opinionin. Ai ka thënë se prindërit e aktivistit të VV-së, duhet ta dinë të vërtetën.

“E kam të vështirë të flas për Rastin Dehari, edhe unë isha një prej të burgosurve në burgjet serbe dhe do të mund të kisha përfunduar si ai. Megjithatë, duhet treguar e vërteta. E vërteta e qetëson familjen Dehari, që po trazohen nga avokati Gashi”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se dera numër 3, ku mbahej Dehari nuk është hapur asnjëherë.

“E vërteta sipas asaj që unë e di, është që dera e dhomës 3 për asnjë moment s’ka qenë e hapur nga momenti i daljes së të burgosurve dhe shokëve të Astrit Deharit, deri në momentin e kthimit nga shëtitorja”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë kohës që dyshohet se mund të ketë ndodhur vrasja, dera e burgut ku gjendej aktivisti, nuk ishte hapur asnjëherë.

“Do të thotë, Astrit Dehari ka qenë i vetmuar në dhomë dhe këtë e vërtetojnë edhe analizat e laboratorit në Austri, të cilat janë dërguar nga kryeprokurori i Shtetit, të cilat vërtetojnë që kamerat nuk janë të manipuluara e as të ndërprera. Kemi të bëjmë me një rast që ka qenë i mbyllur në dhomë. Askush s’ka mundur t’i bëj dëm atij”, ka thënë tutje ai.

Topalli ka dhënë sqarime edhe për dyshimet se vrasësi potencial mund të jetë futur nga një derë tjetër që ishte e lidhur me dhomën ku mbahej Dehari. Sipas tij, kjo gjë ka qenë e pamundur.

“Është manipuluar me atë derë, ajo është derë e tipit të burgjeve të komunizmit, që i ka ndërlidhë të burgosurit për t’u dërguar te UDB. Ajo derë ka qenë jofunksionale, nuk mund të besohet që dikush ka hy në dhomë dhe e ka vrarë Astrit Dehari”, ka thënë ai.

Aktualisht, Topalli është i suspenduar nga pozita e tij. Ai ka treguar për arsyet që kanë çuar në suspendimin e tij.

“Jam suspenduar me një vendim të Komisionit Disiplinor dhe jam në procedurë ankese. Suspendimi im ka ardhur si rezultat i një raporti të inspektorëve, të cilët i kanë rishikuar procedurat e rastit Dehari dhe kanë ardhë në përfundime të paqena, kinse unë kam manipuluar lidhur me provat për rastin Dehari”, kishte deklaruar Topalli. /Demokracia.com/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...