Live

Afro 70 mijë qytetarë më pak, Vetëvendosje apo Trusti po gënjen për “zhdukjen” e llogarive pensionale?

18:54 / 24 Janar 2023

Nga Kosova Live

Vetëm brenda një viti janë 67 mijë e 750 persona që nuk paguajnë më Trust në Kosovë. Në vitin 2021, qytetarë që kanë paguar Trustin janë 389 mijë e 942. Kurse, në vitin 2022, janë 322 mijë e 192.

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka dhënë disa shifra shqetësuese në raport me llogaritë pensionale të qytetarëve të Kosovës.

Ai në një deklarim nga foltorja e Kuvendit ka thënë se brenda një viti, Trusti ka afro 70 mijë persona me pak.

Sipas tij, qytetarët i kanë mbyllur llogaritë e tyre dhe kanë ikur nga Kosova.

“Duhet të jemi realistë për gjendjen se njëra prej çështjeve kryesore që sot kemi, duhet të merremi secili, pa marrë parasysh dallimet politike dhe pozitat që kemi, qoftë në ekzekutiv, legjislativ, nivel qendror, lokal, është problemi i ikjes së qytetarëve nga vendi. Nëse shohim statistikat, po e marrë një krahasim të cilin e kemi kërkuar si komision për buxhet nga Trusti të na dërgojë të gjithë anëtarëve të komisionit për buxhet, punë dhe transfere. Nëse e krahasojmë shtatorin e vitit 2021, me shtatorin e vitit 2022, kontributdhënës janë 67 mijë e 750 persona më pak”, ka thënë Rrahmani.

Ai tutje ka treguar se statistikat janë zyrtare të marra nga Trusti.

“Pra në vitin 2021, personat që kanë paguar kontributet pensionale janë 389 mijë e 942, kurse në vitin 2022 janë 322 mijë e 192 persona. Këto statistika janë statistikë zyrtare që na është dërguar nga Trusti”.

Por, me këtë situatë nuk janë pajtuar në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Në këtë institucion kanë thënë se Trusti nuk mbyll llogari dhe sipas tyre këto shifra nuk qëndrojnë.

“Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (ose Trusti) nuk mbyll llogari plotësisht asnjëherë, për disa arsye teknike. Për çështje raportimi ka llogari aktive (që kontribuojnë për një periudhë të caktuar), llogari të pensionuara (ose pasive) si dhe llogari të tjera (pasive) që nuk janë aktive, por as nuk janë pensionuar. Pra në frymën e pyetjes suaj, Trusti nuk i mbyll llogaritë asnjëherë, ngase edhe pas pensionimit të një llogarie mund të ketë pagesa të vonuara që duhet të kalohen në llogarinë përkatëse. Edhe për rastet e kontribuuesve të vdekur nuk mbyllet llogaria, meqë mund të ketë përfitues trashëgimtarë të asaj llogarie, ndaj të cilëve mund të bëhen pagesa të prapambetura të kontributeve pensionale”, kanë thënë në Trust për Demokracia.com.

Gjithashtu, sipas tyre, krahasimi i shifrave del të jetë ndryshe nga ato që janë dhënë në Kuvendin e Kosovës.

“Për informim shtesë, meqë është përmendur si argument diskutimi në Kuvendin e Kosovës, i krahasova shifrat e shtatorit 2021 me shtatorin 2022 dhe rezultojnë se i kishim 15,980 llogari aktive më shumë në shtator 2022 sesa në shtator 2021. Por, përsëri numri i llogarive aktive në Trust nuk mund të merret si tregues i punësimit ose papunësisë, meqë (siç është raportuar nga disa institucione), shkalla e ekonomisë informale në Kosovë është e lartë, andaj llogaritë e reja mund të jenë vetëm kalim i të punësuarve në sistemin formal të punësimit”.

Në Trust thonë se edhe performanca është rritur, por nuk e kanë pranuar faktin se vitin e kaluar kanë humbur mbi 160 milionë kursime të qytetarëve.

“Sa i përket performances investuese, për vitin 2022 kishim rezultat negativ prej -5.5% për Portofolin Standard (për kontribuuesit e moshës deri 63 vjeç) dhe kishim rezultat pozitiv prej 3.0% për Portofolin Konservativ (për kontribuuesit e moshës 63+). Aktualisht për janar 2023 jemi me rezultat pozitiv në të dyja portofolet. Sidoqoftë, sikurse e kemi shpjeguar, performanca e investimeve për çdo kontribuues ka rëndësi në terma afatgjatë (prej hyrjes në skemë e deri në pensionim), meqë investimet e mjeteve pensionale bëhen në atë frymë, dhe nuk ka kuptim analizimi afatshkurtër (vjetor ose mujor) i performances së investimeve. Andaj në terma afatgjatë Trusti ka performancë pozitive nga investimet, duke akumuluar mbi 660 milionë euro kthim bruto nga themelimi dhe ngritje mbi 63% të çmimit të njësisë”.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia e investimeve në Trust përgjatë periudhës janar-korrik 2022 ka arritur në 161.7 milionë euro.

Kjo bëhet e ditur në një raport mbi sistemin financiar të Kosovës të botuar më 31 gusht 2022, ku bëhet e ditur se rënia e vlerës së aksioneve të Trustit përgjatë periudhës janar-korrik 2022 është shumë më e lartë se kontributet e reja të grumbulluara në këtë periudhë.

“Kontributet e reja të grumbulluara gjatë periudhës janar-korrik 2022 arrijnë në 116.2 milionë euro, përderisa kthimi negativ në investime është 161.2 milionë euro”, bëhet e ditur mes tjerash në raport.

Vlera e përgjithshme e aseteve të FKPK-së deri në korrik të vitit të kaluar kishte arritur në rreth 2.28 miliardë euro.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...