Live

Agjencia australiane e mbrojtjes nga rrezatimi thotë që 5G është i sigurt

10:21 / 20 Nëntor 2019

Nga Kosova Live

Agjencia australiane për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore (ARPANSA) i është përgjigjur dhomës së përfaqësuesve të Parlamentit kur u pyet për rrjetin 5G të Australisë dhe nëse 5G paraqet rrezik për njerëzit dhe kafshët, raporton ZDNet.

“Frekuenca më e lartë nuk do të thotë më shumë rrezatim”, shkroi ARPANSA në përgjigjen e vet.

“Hulumtimet aktuale tregojnë se nuk ka prova që radiovalët, të cilat përdoren në komunikimet mobile kanë ndikim në shëndetin e njeriut. Kjo e përfshin edhe rrjetin 5G. Vlerësimi i ARPANSA është se rrjeti 5G është i sigurt”.

Agjencia njoftoi se megjithëse frekuencat e rrjeteve 4G dhe 5G e absorbojnë një sasi të caktuar të energjisë, trupi është shumë i vogël për ta prodhuar “ngrohjen e konsiderueshme të indeve” dhe valët milimetrike të cilat do t’i lirojë rrjeti 5G nuk kalojnë nëpër lëkurë.

“Fuqia është shumë e ulët dhe nuk do të ketë ngrohje të dukshme të lëkurës”, thanë nga agjencia,

“Deri tek ngrohja mund të vijë nëse niveli i energjisë është përtej 50 herë më i lartë se sa lejohet me standarde australiane, siç është gjatë saldimit ose ekspozimit ndaj radio kullave AM, por në raste të tilla, përdoren masa mbrojtëse.”

Në përgjigje gjithashtu u theksua fakti shkencor se radio valët nuk janë jonizuese, kështu që ato nuk janë në gjendje t’i shpërbëjnë lidhjet kimike dhe prandaj nuk kanë efekt në dëmtimin e ADN-së.

“Nuk ka kurrfarë dëshmish se ekspozimi ndaj niveleve të zakonshme të radio valëve mund të shkaktojë kancer”, pohojnë nga agjencia.

ARPANSA ka theksuar që në vitin 2011 agjencia ndërkombëtare për hulumtime të kancerit (IARC) vendosi frekuenca të cilat përdoren në telekomunikimet mobile në listën e efekteve potencialisht kancerogjene në njerëz, por se qëllim i kësaj nuk ishte të shkaktohej paniku, por të inicohej hulumtimi shtesë në këtë fushë.

“Në këtë listë ndodhen edhe perimet turshi dhe Aloe Vera”, thanë nga agjencia.

ARPANSA gjithashtu iu referua kuazi shkencës e cila po qarkullon nëpër internet, përkrahësit e të cilës zgjedhin të dhëna që i përshtaten idesë dhe nuk i referohen provave të dëshmuara.

“Asnjë studim i vetëm shkencor nuk do të japë përgjigje definitive në pyetjen nëse radio valët mund të ndikojnë në shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, apo mjedisit”.

Sa i përket ndikimit në bletët, që është një nga argumentet e shpeshta të bëra nga kritikët e rrjetit 5G, agjencia thekson se ekzistojnë shumë pak hulumtime mbi ndikimin e valëve elektromagnetike tek insektet dhe numrin e tyre, shkruan sot KOHA Ditore.

“Shumë pak studime mjedisore që janë marrë me këtë kanë dhënë pak ose aspak prova të ndikimit mjedisor të radio valëve “

“Hulumtimet që tregojnë efekte nuk i përmbahen metodës shkencore, kështu që në to efekti i valëve elektromagnetike është i pamundur të konsiderohet i pavarur nga ndikimi i faktorëve të tjerë mjedisorë.”

Zyra e ombudspersonit të industrisë për telekomunikim i ka pranuar 45 ankesa për dëmtimin e rrezatimit elektromagnetik gjatë vitit 2019.

Muajin e kaluar, presidenti i kompanisë Telstra, John Mullen i krahasoi ata që e përhapin “të vërtetën rreth 5G” me kundërshtarët e vaksinimit dhe mbështetësit e teorisë së tokës së rrafshët.

Në korrik, Telstra e testoi sasinë e energjisë së emetuar nga 5G përkundrejt rrjeteve 3G dhe 4G në apartamente dhe kafene pranë qendrës së saj të inovacionit 5G, dhe zbuloi se ajo ishte vazhdimisht nën kufirin prej 0.02% të ARPANSA, d.m.th. 5000 herë më pak se niveli i konsideruar i sigurt.

“Në fakt, në testimin e apartamenteve, e kishim një dhomë përplot me inxhinierë, pajisjet e të cilëve po funksiononin me kapacitet të plotë, ndërsa niveli i rrezatimit ishte ende 1000 herë nën kufirin e sigurt”, tha John Mullen.

Cili është mendimi juaj për 5G, rrjet ky i cili është bërë një temë tejet kontroverse?

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...