Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u prit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nga deputetet shqiptare, anëtare të delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Blerina Xhylameti, Klotilda Bushka dhe Etilda Gjonaj.
Ahmeti i njoftoi deputetet shqiptare mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe përparimin e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme.
Ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i domosdoshëm, veçanërisht për qytetarët e vendit, të cilët do të jenë përfituesit më të mëdhenj, e që aktualisht e kanë të pamundur t’i shfrytëzojnë mekanizmat e Këshillit të Evropës, me theks të veçantë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për më tepër, Republika e Kosovës tashmë ka adoptuar një numër të konventave të Këshillit të Evropës dhe ka siguruar votat e nevojshme për anëtarësim, përderisa vet Këshilli i Evropës ka ardhë në përfundim që nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e saj në këtë organizatë të rëndësishme.
Zëvendësministri i falenderoi deputetet për mbështetjen e fuqishme për Republikën e Kosovës.
Në fund, delegacionet u pajtuan që koordinimi i ngushtë të vazhdojë dhe të ketë bashkërendim të hapave të mëtutjeshëm.