Live

“Ajo është vajza ime tani”, flet xhaxhai i foshnjës që lindi nën rrënojat e tërmetit

11:01 / 22 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

E lindur nën rrënojat e tërmeteve të tmerrshme të 6 shkurtit, që vranë prindërit, motrat dhe vëllezërit, “foshnja e mrekullisë” në Siri është marrë tashmë nga të afërmit e saj. Afraa al-Suwadi e nisi jetën e saj e bllokuar nën disa shtresa betoni pas tërmeteve shkatërruese në fillim të këtij muaji, ndërsa ishte e vetmja e mbijetuar e familjes së saj.

Më shumë se 10 orë pas tërmetit të parë, ekipet e kërkim-shpëtimit po gërmonin nën rrënojat e një pallati pesëkatësh, ku gjetën një foshnje të gjallë të lidhur ende nga kordoni i kërthizës me nënën e saj, Afraa Abu Hadiya, e cila kishte ndërruar jetë së bashku me bashkëshortin dhe katër fëmijët e tjerë. Pamjet e shpëtimit të Afraa al-Suwadi u bënë virale menjëherë në rrjetet sociale.

“Ajo është shpirti im, jeta ime dhe e gjithë bota ime”, tha xhaxhai i saj, Khalil al-Suwadi nga tenda ku është vendosur pas tërmetit, ndërsa përqafon të porsalindurën. Foshnjës iu vendosur emri i nënës së saj Afraa, e cila është një nga 47 mijë personat e konfirmuar të vdekur deri tani nga tërmetet e 6 shkurtit. Khalil al-Suwadi e mori foshnjën nga spitali në Jidayris, një zonë e kontrolluar nga rebelët pranë kufirit me Turqinë. Për të qenë më të sigurt, stafi mjekësor kreu edhe një test ADN-je për t’u siguruar që ata ishin me të vërtetë të afërmit.

“Afraa al-Suwadi do të mbajë gjallë kujtimin e nënës dhe babait, vëllezërve dhe motrave të saj”, tha xhaxhai i të porsalindurës, i cili tregon se edhe bashkëshortja e tij ka sjellë në jetë një fëmijë vetëm pak ditë para tërmetit, por vëmendja e tij më e madhe ka shkuar për Afraa. “Ajo tani është një nga vajzat e mia”, është shprehur mes lotësh Khalil./A2CNN

Shpërndaje në

U Kopjua