Mediat në Serbi po raportojnë se është duke u përgatitur një tubim nga zyrtarë dhe aktivistë të partisë së presidentit serb Aleksandar Vuçiq për t’i dalë në mbështetje atij ditën kur në Kuvendin serb do të raportojë për planin franko-gjerman. Sipas njoftimeve jozyrtare seanca e Kuvendit të Serbisë duhet të mbahet më 2 shkurt.
Mediumi serb “Nova”, në bazë të burimeve të saj, ka raportuar se Vuçiq në tubimin e fundit me partinë e tij ka kërkuar mbështetje dhe u ka kërkuar bashkëpartiakëve që t’i qëndrojnë pas për çështjen e planit të prezantuar nga BE për marrëveshjen me Kosovën.
“Ka disa ditë që është anketuar anëtarësia e komisioneve dhe matet disponimi i tyre. Vlerësimi është se tani është momenti që të tregohet fuqia e partisë dhe të gjithë të qëndrojnë pas Vuçiqit”, thotë bashkëbiseduesi nga partia në pushtet për Nova.
Vuçiq, që nga momenti kur zyrtarisht deklaroi se ishte i gatshëm të angazhohej për zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane, filloi punën për përgatitjen e publikut për këtë vendim. Analistët pro regjimit, të cilët deri dje përsërisnin mesazhet e presidentit se “dorëzimi nuk është opsion”, brenda natës filluan të përcjellin mesazhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe nevojën që serbët t’i japin fund “mitit për Kosovën”.
Që opinioni të mos reagojë dhunshëm, synimi i kryesisë së Partisë Progresive Serbe është që të tregojë në rrugë se Vuçiq ka një mbështetje të qartë kur është fjala për Kosovën.
Siç thotë ky burim, paraqitja e Vuçiqit në Kuvend u vlerësua si një mundësi ideale që progresistët të mblidhen në numër të madh.
“Vetë Vuçiq në mbledhjen e fundit partiake tha se pret që progresistët të jenë të bashkuar dhe se shpreson që të qëndrojnë pas tij. Për këtë arsye zyrtarët filluan menjëherë të punojnë për përgatitjen e tubimeve mbështetëse që së shpejti duhet të organizohen në gjithë Serbinë dhe planifikohet që një të tillë të mbahet edhe para Kuvendit ditën e seancës”, sqaron burimi.
Siç raporton Nova, qendra e Beogradit do të bllokohet nga ky tubim.