Live

Ambasada amerikane s’e mbështet dështimin e Këshillit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK-së dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë

11:17 / 27 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

PRISHTINË | 27 DHJ 2019 |  Nga KosovaLive

Ambasada Amerikane nuk e mbështet dështimin e Këshillit Prokurorial për të zbatuar Rregulloren për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kështu janë përgjigjur për “Betimi për Drejtësi”, nga Zyra për Informim e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Përfaqësuesit e kësaj ambasade e kanë monitoruar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Tutje në përgjigjen për “Betimi për Drejtësi”, Zyra për Informim e Ambasadës Amerikane, thekson se mungesa e mbështetjes për dështimet e KPK-së në zbatimin e Rregullores për zgjedhjen e Kryeprokurorëve, nuk ka të bëjë me asnjë kandidat individualisht.

“Ne iu dëshirojmë Kryeprokurorëve sukses dhe mungesa e mbështetjes sonë për procesin e përzgjedhjes nuk reflekton opinionin tonë individual për personat e zgjedhur”. Sidoqoftë, Ambasada Amerikane në përgjigjen e saj, thekson nevojën që KPK të zhvillojë proceset në përputhje me kriteret që bazohen në meritë dhe transparencë.

“Publiku duhet të ketë besim në KPK në zbatimin e rregullave të saj dhe rregulloreve dhe ngritjen në detyrë të prokurorëve në bazë të meritës përmes një procesi që promovon transparencën”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë.

KPK të hënën, më 23 dhjetor, ka përfunduar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorëve në PSRK dhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës, duke votuar dy kandidatët Blerim Isufaj dhe Kujtim Munishi. Ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i ri i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), i cili në garë ishte me kandidatin Haki Gecaj, të cilin e ka mundur 10 me 0.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi nuk ka pasur fare konkurrencë, duke marrë poashtu 10 vota për t’u konfirmuar si Kryeprokuror i kësaj Prokurorie.

IKD ka monitoruar me kujdes procesin e emërimit të Kryeprokurorëve në këto dy prokurori dhe bazuar në gjetjet e monitorimit, ka reaguar publikisht, duke vlerësuar se ky proces nuk i ka plotësuar standardet e kërkuara për të siguruar një proces të emërimit të bazuar sipas meritokracisë, publicitetit, respektimit të procedurës së pavarur të ankesave që ndikon në mungesën e besimit të publikut për një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm.

“IKD reagon ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për integritetin e kontestuar të procesit të emërimit të Kryeprokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Prokurorinë Themelore (PTH) në Prishtinë. IKD kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike nga palët në këtë proces që të ndjekin rrugët ligjore për të kthyer mundësinë e zhvillimit të një procesi me integritet për zgjedhjen e Kryeprokurorëve në PSRK dhe PTH në Prishtinë”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD prej fillimit është angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe në ofrimin e ndihmës përmes ekspertizës pro bono për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke ofruar vërejtje, komente dhe rekomandime konkrete për procesin e hartimit të Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës. IKD publikisht ka përshëndetur qasjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga KPK lidhur me procesin e hartimit dhe miratimit të kësaj Rregullore, i cili proces kishte kaluar përmes konsultimit dhe debatit publik, duke përfunduar me miratimin e saj në mbledhjen e KPK-së më 1 gusht 2019.

Sipas KPK edhe në vitin 2019, po ballafaqohet me sfida të pakalueshme për të zhvilluar procese transparente, të paanshme, të drejta dhe të pavarura të emërimit të Kryeprokurorëve. Kushtetuta, ligji i aplikueshëm dhe praktikat dhe standardet ndërkombëtare kërkojnë që proceset e emërimit të prokurorëve dhe kryeprokurorëve të jenë të bazuara vetëm në meritat e kandidatit, duke promovuar diversitetin dhe duke shmangur diskriminimin, si dhe që procesi i emërimit duhet të sigurojë një procedurë të pavarur të ankesave, përfshirë kërkesën e publikut që procedurat për emërimin të karakterizohen nga një shkallë e lartë publiciteti dhe transparence për publikun.IKD ka theksuar se procesi i emërimit të Kryeprokurorëve të PSRK dhe PTh në Prishtinë, është karakterizuar me mungesën e duhur të publicitetit dhe transparencës për publikun.

Seancat e KPK-së lidhur me kundërshtimet e parashtruara nga ana e kandidatëve për Kryeprokuror të dy prokurorive janë mbyllur për publikun, përderisa KPK nuk ka dhënë asnjë sqarim apo arsyetim me shkrim.

Sipas IKD-së, si Paneli Vlerësues ashtu dhe Komisioni për ri-shqyrtim nuk kanë arritur që detyrat dhe përgjegjësitë e tyre t’i përfundojnë në pajtim me frymën dhe qëllimin e Rregullores. Për më tepër, si rezultat i mos kuptimit të Rregullores së miratuar nga të njëjtit anëtarë të KPK-së, kandidatët për Kryeprokurorë kanë kaluar përmes procesit të vlerësimit dhe poentimit dy herë para Panelit Vlerësues, në bazë të kundërshtimeve të paraqitura nga kandidatët. Në bazë të rregullores, poentimi dhe vlerësimi i kandidatëve do të duhej të ishte mirë i arsyetuar dhe i bazuar, e që në praktikë kjo nuk ka ndodhur.

Në rrethana të tilla, IKD ka vlerësuar se procesi i emërimit të Kryeprokurorëve në PSRK dhe PTh në Prishtinë nuk i plotëson standardet e kërkuara për të siguruar një proces të emërimit të bazuar sipas meritokracisë, publicitetit, respektimit të procedurës së pavarur te ankesave që ndikon në mungesën e besimit të publikut për një proces të drejtë, pavarur dhe të paanshëm

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...