Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka veçuar takimin e Presidentit Hashim Thaçi me të dërguarin presidencial të Amerikës, Richard Grenell, duke mos përmendur emra të tjerë.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Kosnett ka dhënë detaje nga takimi i Thaçit me Grenellin, por jo edhe ato të politikanëve të tjerë.
“I dërguari i posaçëm presidencial Grenell mezi pret të punojë me Presidentin Thaçi dhe udhëheqësit e tjerë të Kosovës për të ndihmuar në sjelljen e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit në Kosovë dhe rajon“, ka shkruar Kosnett.
Në anën tjetër, nuk ka ndryshime në qëndrimin amerikan, ku këta të fundit vazhdimishit kanë përsëritur nevojën për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi sa më shpejtë.
Sidoqoftë, ndryshe po mendon Lëvizja Vetëvendosje dhe Lideri i saj Albin Kurti, ku së fundi kanë njoftuar se Grenellit i thanë se nuk ka rëndësi se kur arrihet marrëveshja, por përmbajtja e saj.