Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) kanë mbajtur tryezën me temën “Cilat janë pasojat e Ligjit të ri për Paga për buxhetin e Kosovës, qëndrueshmërinë fiskale, sektorin privat dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë”, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se Ligji i ri për Paga që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor ka një ndikim jo të mirë pasi ka implikime buxhetore dhe e rritë hendekun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Arbëresha Loxha nga GLSP-ja tha se pakoja e 3 ligjeve duhet të jetë e përfunduar dhe të garantohet transparenca.
“Pakoja e 3 ligjeve duhet të jetë e përfunduar dhe të garantohet transparenca, duhet të garantoj që punësimet familjare duhet të përfundojnë njëherë e mirë. Duhet të bëhet një politikë e qartë e Vettingut për punësime të zyrtarëve civil dhe të ndalen punësimet partiake dhe personave militantë”, ka thënë Loxha.
Ajo ka prezantuar disa nga të gjeturat.
“Ligji i ri solli rritje të konsiderueshme në disa sektor, kjo rritje vlerësohet se do të rris faturën e pagave dhe të tejkaloj shumën prej 700 mijë euro që është për 20% më e lart se vitin e kaluar, paga e Presidentit do të jetë mbi 6 herë se paga minimale në sektorin privat. GLPS konsideron se kjo kosto e pagave do të ketë edhe ndikim në sektorin privat dhe do të ketë një hendek në mes të sektorit privat dhe publik”.
Loxha i bëri thirrje Qeverisë në largim që të mos emëroj persona në pozita të larta publike pasi kjo është detyrë e Qeverisë së re.
“Më lejoni të bëj një thirrje për Qeverinë në dorëheqje, që të mos punësoj njerëz në pozita të rëndësishme pasi kjo i takon Qeverisë së re”.
Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, tha se Ligji për Paga që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, e dobëson sektorin privat pasi ngritën pagat në sektorin publik dhe interesimi për punësim është më i madh në sektorin publik.
“Më lejoni t’i referohem politikave të publikuara sot, ligji që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, është e përcaktuar në paketën ERA-s, ekspertët ndërkombëtarë e lavdërojnë institucionet për punën e bërë pasi kjo paketë garanton një sistem transparent, mirëpo ky dokument i publikuar sot na jep një pasqyrë të qartë të ndikimit që në Kosovë do të ketë Ligj për Paga. Ligji i ngrit pagat në sektorin publik dhe jo në atë privat dhe e ka një rrezik pasi do të mbipopullohet sektori publik dhe do të dobësohet sektori privat”.
Tefik Mahmuti nga Ministria e Administratës Publike, tha se ky ligj e vendos një standard të ri pasi pagat më nuk do të mund të ngritën apo të ulen me vendime, por vetëm përmes ndryshimit të ligjit.
“Gjatë kësaj kohe ka shumë zhvillime që janë ndërmarrë, jemi në një fazë që po flasim për ligjin që ka hy në fuqi me 1 dhjetor e që është punuar gjatë, pakoja ligjore ka dalë si kërkesë e reformës në Administratën Publike dhe kërkesë ka ardhur në vitin 2016. Ligji e bën një standard të Ligjit të Pagave dhe kjo flet për një ndryshim të pagave dhe jo me vendime dhe nëse ka ndonjë nevojë për ndryshim atëherë ndryshohet ligji”.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje tha se është krijuar një situatë ku këto ligje e kanë ç’organizuar punën në Administratën Publike.
“Kjo reformë e nisur në vitin 2015 ndryshoi tërësisht në vitin 2018 dhe gati jemi në një situatë ku këto ligje e kanë ç’organizuar punën në Administratën Publike. Jemi dëshmitarë ku kemi dy palë që kanë paralajmëruar në greva dhe protesta, kjo dëshmon dështimin në miratimi e një Ligji për Pagat dhe na ka sjellë në një situatë jo të mirë”, tha ajo, raporton EO.