Live

Ambasdori norvegjez në Beograd: Njohja nuk mund të jetë pikënisje e negociatave Kosovë-Serbi

21:29 / 14 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi nuk mund të jetë pikënisja e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, ka vlerësuar ambasadori norvegjez në Beograd, Jern Eugen Jelstad.

Jelstad thotë se “nevojitet normalizim” i marrëdhënieve dhe se ky normalizim “duhet të përfshijë gjithashtu edhe kompromise”.

Në një intevistë për agjensionin serb të lajmeve “Tanjug”, ambasadori norvegjez tha se e kupton “ndjeshmërinë” që ekziston në Serbi rreth çështjes me Kosovën, por shtoi se “derisa koha ecën, është vështirë të paramendohet Kosova si provincë autonome e Serbisë”.

“Është një zonë kyçe gjeografike për kulturën dhe fenë serbe. Por, në anën tjetër, është vështirë të parashikoni Kosovën si një territor që ndonjëherë do të mundej përsëri të bëhej pjesë e Serbisë”, ka thënë ai.

Edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ambasadori norvegjez tha se ajo është obligim nga Marrëveshja e Brukselit, dhe se zbatimi i saj është detyrim për të dyja palët.

“Serbia është Evropë dhe i përket Bashkimit Evropian”, tha ai, derisa u shpreh edhe se “të gjithë do të donin ta shihnin Serbinë si anëtare të BE-së”, tha ai.

Kujtojmë se Serbia në raport me planin frankogjerman ka thënë se nga vijat e saj të kuqe janë njohja e ndërsjellë “de jure” dhe “anëtarësimi i Kosovës në OKB”.

Plani frankogjerman parashihet të ofrojë vetëm njohje faktike të sovranitetit dhe integritetit territorial mes të dyja palëve, ku gjithashtu palët zotohen të mos pengojnë njëra tjetrën në integrimet evropiane dhe ndërkombëtare.

Shpërndaje në

U Kopjua