Live

Analisti serb, Janjiq: Me kthim të Listës Serbe është dobësuar pozicioni negociues i Vuçiqit

15:15 / 17 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Analisti politik serb Dushan Janjiq ka thënë se kthimi i paparalajmëruar i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës tregon se pozita negociuese e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq për zgjidhjen e krizës në lidhje me Kosovën është dobësuar.

Janjiq ka thënë për agjencinë Beta se Vuçiq ka vendosur që Listën Serbe t’ua kthejë institucioneve të Kosovës për të shtyrë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës të planifikuara për 18 dhjetor.

“Vuçiq e kuptoi se lëvizjet e tij në dhjetë ditët e fundit, kur është fjala për largimin nga institucionet e Kosovës si dhe ngritjen e tensioneve me tregimet për dronët, nuk dhanë fryte. Në bisedimet me përfaqësuesit e shteteve të KUINT-it, ai u pajtua që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës dhe në këmbim të shtyhen zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për riregjistrim të automjeteve”, ka thënë Janjiq, transmeton Paparaci.

Kthimi i Listës Serbe në institucionet e Kosovës do të jetë një mundësi për këtë parti që të “pastrohet nga kuadrot” me punën e të cilëve populli serb dhe bashkësia ndërkombëtare ishin të pakënaqur, pretendon Janjiq.

Ai ka shtuar se shpërbërja e Listës Serbe është e afërt dhe se përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Janjiq beson se Lista Serbe do t’i kthehet Qeverisë së Kosovës, që do të jetë një shuplakë e madhe për gjithçka që Vuçiq ka bërë dhe ka thënë muajin e fundit.

“Vuçiq nuk arriti të krijojë një vakum institucional në Kosovë. Tani ai duhet t’i kthejë serbët në institucione për të shmangur zgjedhjet lokale në veri”, ka thënë Janjiq.

Ai pohon se Beogradi “qëlloi mushkonjat me top”, përcjell Paparaci.

“Reagimi ndaj masës së Albin Kurtit për reciprocitetin për targat ka qenë i ashpër. Beogradi i tërhoqi serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës, madje edhe nga policia. Është e qartë se anëtarët e KUINT-it i kanë bërë presion Kurtit që të shtyjë zbatimin e vendimeve në veri të Kosovës dhe Vuçiqit t’i kthejë serbët në institucione”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, lajmi i vetëm i mirë nga Kosova është se në këtë moment asnjëra palë nuk ka fuqi të shkaktojë trazira.

“Lajmi i keq është se integriteti negociator i Serbisë ka rënë pas vendimit për largim nga institucionet”, ka përfunduar Dushan Janjiq

Shpërndaje në

U Kopjua