Grupi i hakerëve “Anonymous” është sulur në ofensivë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paralajmërimin për sulme kibernetike ndaj Serbisë, ky grup e ka bërë ditë më parë, kur përmes një video-mesazhi e akuzonte Vuçiqin për provokim të situatës në veri të Kosovës, dhe e quante kukull të Putinit.
Pas këtij kërcënimi të grupit, Vuçiqi ishte tallur në Instagram, duke postuar një fotografi me dy qen, e duke thënë: “Po përgatitemi për luftë kundër anonimusit”, shkrim të cilit ia bashkëngjiti edhe tri “smileys” duke qeshur me lot.
E pas këtij postimi, grupi “Anonymous” duket se u nervozua.
Fillimisht u raportua se u sulmua faqja e Ushtrisë së Serbisë, dhe faqe të institucioneve tjera. Ndërsa sot, grupi njoftoi se i është hackuar edhe faqja personale e presidentit serb, Vucic.rs.
“Nëse ai dëshiron të luajë me zjarrin, pra le të fillojmë”, shkruan grupi në Twitter, duke shtuar: “vucic.rs ka rënë”.
Faqja në fjalë edhe në kohën e raportimit nuk është e qasshme.