Live

Apostolova: Të formohet sa më shpejt Qeveria e re

12:42 / 04 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të formohet sa më shpejt në mënyrë që sa më shpejt të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.

Ajo në një intervistë për Kosova Online gjithashtu tha se serbët që morën më shumë vota në zgjedhje duhet të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme dhe përsëriti se BE pret heqjen e taksës prej 100 përqind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Bashkimi Evropian ka thënë vazhdimisht se taksa prej 100 përqind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për importet e mallrave nga Serbia dhe Bosnja duhet të hiqet. Ne nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë, përkundrazi, ne mendojmë se qeveria e re duhet të heqë menjëherë tarifat. Jo vetëm sepse bie ndesh me marrëveshjen e CEFTA-s, por edhe sepse është kundër bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë “, tha ajo.

Mes tjerash, e dërguara e BE-së në Kosovë theksoi se Bashkimi Evropian është këtu për të lehtësuar dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Roli i BE-së dhe partnerëve të tjerë është të sigurojë që të gjitha marrëveshjet që Kosova ka marrë përsipër të zbatohen. E njëjta gjë vlen edhe për palën tjetër, pasi Serbia gjithashtu duhet të zbatojë disa marrëveshje. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë gjithëpërfshirëse, efektive, në përputhje me konventat dhe ligjet ndërkombëtare dhe në përputhje me vlerat e BE-së”, shtoi ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...