Në 5-vjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, deputeti nga radhët e Lëvizjes Veteëvendosje, Armend Muja ka thënë se Kosova ka humbur një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Muja thotë se dje ka qenë dita kur tregohet se si Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer më herët Serbisë.
“Dje ka qenë pesëvjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Nuk ka qenë dita kur flitet për të këqijat që ai i ka bërë, por për të keqen që ia kanë bërë atij. Dita e djeshme është dita kur tregohet qysh Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer Serbisë më herët. Oliver Ivanoviq u pat dënuar me 9 vjet burg për krime lufte, të cilat me shumë gjasë i ka kryer, ndonëse procesi ndaj tij u kthye në rigjykim nga EULEX-i. Qartazi, Beogradi është frikësuar që Ivanoviq ka nisur të bashkëpunojë me EULEX-in dhe ai ka shumëçka që mund të tregojë”, ka shkruar ai në Facebook.