Në Pikë Kalimin Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: R.S, banues në Kosovë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Hanover, Gjermani, me vendimin e datës 12.07.2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shkelja e ligjit të narkotikëve”, “Shkelja e ligjit mbi armët” dhe “Vjedhja në kuadër të grupit kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë.
Ky shtetas dyshohet se gjatë muajve janar dhe shkurt, të vitit 2018, në cilësinë e pjesëtarit të një grupi kriminal, është përfshirë në disa vjedhje në banesa dhe në biznese, në Hanover, Gjermani. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në vitin 2018, janë gjetur municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.