Live

Arrestohet një i dyshuar dhe konfiskohen mbi 30 kg substancë që dyshohet të jetë marihuanë

21:00 / 05 Prill 2023

Nga Kosova Live

Një person i dyshuar është arrestuar në një fshat të Malishevës, si dhe janë konfiskuar mbi 30 kg substancë, që dyshohet të jetë marihuanë.

Hetuesit policorë nga Sektori Qendror i Hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, bëjnë të ditur se me 05.04.2023, rreth orës 15:00, gjatë trajtimit të një informate, kanë arritur ta lokalizojnë e më pas ta arrestojnë një person nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale.

Në një komunikatë për media thuhet se policia ka siguruar urdhër për kontroll nga organet e drejtësisë, me që rast është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit në një fshat të Malishevës. Gjatë kontrollit, policia në shtëpinë e të dyshuarit: A.K., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar), ka gjetur dhe konfiskuar tri çanta në të cilat kishte 28 paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Pesha e përgjithshme e kësaj lënde është 30 kg e 330 gramë.

Policia ka intervistuar të dyshuarin dhe ndaj tij ka iniciuar rastin ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Me aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë.

Shpërndaje në

U Kopjua