Pas idesë nacionaliste të të ashtuquajturës “botës serbe”, që aktualisht mirëmbahet nga ish-ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandër Vulin, Millosh Vuçeviq, pasardhësi i Vulin’it në MPB-në serbe, ka prezantuar idenë e tij për “bashkimin e serbëve”.
Ndonëse ministri i ri i Brendshëm i Serbisë, Vuçeviç, nuk e ka shtjelluar më në detaje idenë e tij me karakter nacionalist, një pjesë e publikut serb po e sheh atë si një “populizëm të dëmshëm” dhe si një “ëndërr të rrezikshme radikale” të bashkimit teorik.
Megjithatë, aty ku Vulin’i e la, Vuçeviç po vazhdon.
Pas idesë së “botës serbe”, tani kemi idenë e “bashkimit serb”, të dy ide mjaftë të paqarta, e jo të artikuluara në detaje.
“Ne po dërgojmë një mesazh se vitet në vazhdim duhet të jenë shenjë e bashkimit serb, sepse në krizën e përgjithshme me të cilën po përballet bota, harmonia dhe uniteti janë garantuesit e vetëm të lirisë. Rroftë Serbia! Rroftë Republika Srpska”, ka deklaruar Vuçeviç në një konferencë për media duke e kumtuar kështu idenë e tij të bashkimit të serbëve.
Për kryetarin e Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Bojan Kostres, ideja për bashkimin e serbëve, nuk është asgjë tjetër përveç një populizmi të keq, e cila nuk kontribuon në marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Çka është e ashtuquajtura “botë serbe”?
Një prej artikuluesve të këtij koncepti të mjegullt së fundmi ishte Ministri i Brendshëm së Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili e trumbetoi atë në thirrje ndaj “të gjithë serbëve”, kudo që janë, të gravitojnë brenda një sfere të vetme politike.
“Detyra e kësaj gjenerate politikanësh serbë është të krijojnë Botën Serbe, e cila do t’i bashkojë të gjithë serbët, pavarësisht se ku jetojnë”, pati thënë ai në një tubim të Lëvizjes Socialiste Serbe në Beograd.
Për t’i dhënë kreshendo nacionalizmit, Vulin, pohoi edhe se “po qe nevoja, t’i mbrojmë edhe ushtarakisht”. /Albanianpost