Më 6 mars, Senati i Universitetit të Sarajevës anuloi diplomën e magjistraturës së shkencave mjekësore të Sebija Izetbegoviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës.
Senati pranoi analizën e komisionit, i cili u emërua më 1 shkurt me detyrë që të analizojë dokumentacionin e mbledhur dhe të verifikojë besueshmërinë e dokumenteve për studimet pasuniversitare të Sebija Izetbegoviqit.
Komisioni, i udhëhequr nga Muhamed Ajanoviq, dekan i Fakultetit të Stomatologjisë, ka identifikuar një sërë mangësish dhe i ka dërguar Senatit propozim zyrtar për anulimin e diplomës në nivel master të drejtoreshës së Qendrës Klinike Universitare.
Vendimi u mor me 30 vota për, pesë ishin kundër dhe gjashtë abstenuan.
Izetbegoviq është anëtare e Partisë udhëheqëse Boshnjake për Veprim Demokratik (SDA) dhe është gruaja e Bakir Izetbegoviq, president i këtij subjekti politik.
Në vitin 2021, Prokuroria e Kantonit të Sarajevës nisi një hetim lidhur me diplomën e Izetbegoviqit. Nga autoritetet kroate është kërkuar dokumentacion, sepse Izetbegoviq ka deklaruar se një pjesë të specializimit e ka kryer në Zagreb.
Ministria e Shkencës dhe Arsimit e Republikës së Kroacisë ka njoftuar se Sebija Izetbegoviq është regjistruar në studimet pasuniversitare në Zagreb, por ministria nuk ka informacione për provimet që i ka dhënë.
Më 2 korrik 2021, Administrata për Çështjet e Inspektimit të Kantonit të Sarajevës përcaktoi se titulli i magjistraturës së Izetbegoviq kërkon kontrolle shtesë.
Sipas ligjit, Universiteti gëzon autonomi dhe vetëqeverisje, duke përfshirë organizimin e brendshëm, miratimin e statusit dhe të tjera. Ai financohet nga buxheti shtetëror dhe të hyrat vetanake. Senati vendos për të gjitha çështjet akademike dhe profesionale, përfshirë zgjedhjen e rektorit, me votim të fshehtë, ndërmjet profesorëve të rregullt, për një mandat katërvjeçar.
Sebija Izetbegoviq është drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës. Ajo u emërua nga Bordi i Drejtorëve. Për emërimin në këtë post, miratimin e jep ministri Federal i Shëndetësisë./REL