Në një përgjigje për kosovalive.net, zyrtarë nga kabineti i Avokatit të Popullit, e konfirmuan lajmin se e pranuan kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) në rastin kur kjo organizatë e specializuar në monitorimin e ligjeve, pretendon se Ligji i Pagave, është në kundërshtim më Kushtetutën e Republikës.
IKD, iu drejtua Avokatit të Popullit, në mënyrë që ky institucion pastaj t’i drejtohet kushtetueses për ta rrëzuar Ligjin e Pagave, i cili në pohimet e IKD-së, nuk garanton të barazinë.
Nga kabineti i Avokatit të Popullit, zyrtarët thanë se ata tashmë menjëherë në procedure të rregullt ligjore, do ta trajtojnë materien e kërkesës së IKD-së. E sipas, tyre afati për trajtimin e saj sipas ligjit, është gjashtë muaj. Kjo mund të kryhet edhe më herët nga ana e Avokatit të Popullit, por siç pohuan zyrtarët nga kabineti i Avokatit të Popullit, kështu e thotë ligji, që një kërkesë i jep hapësirë kohe atyre që ta trajtojnë deri në gjashtë muaj.
E në rastin konkret, pas trajtimit të kërkesës së IKD-së, Avokati i Popullit, e ka në diskrecionin e tij që të vlerësojë nëse lënda ka fakte që ky institucion t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.