Live

Avokati i Thaçit: Ai s’kishte kurrfarë përgjegjësie në terren, UÇK-në e përfaqësonte Adem Demaçi

11:36 / 04 Prill 2023

Nga Kosova Live

Gregory Kehoe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në deklaratën hyrëse të Mbrojtjes mohoi pretendimet e Prokurorisë se UÇK-ja e luftonte LDK-në.

Për të dëshmuar mbi këtë, avokati në seancën e sotme gjyqësore në Hagë përmendi se UÇK-ja dhe FARK-u – që tha se ishte “krahu ushtarak i LDK-së” – po përpiqeshin të bashkoheshin.

“Dëgjuam dje shumë informacion lidhur me UÇK-në që luftonte LDK-në dhe se LDK-ja ishte pjesa e ‘kundërshtarëve’ që UÇK-ja ishte pas tyre, por FARK-u është krahu ushtarak i LDK-së. Ata po përpiqeshin të bëheshin pjesë e LDK-së, pra e kësaj dorës së zgjatur të LDK-së, ndërsa përpjekja është që të bashkohen të dyja këto njësi”, tha ai.

Kehoe tha se “sipas përgjegjësisë së komandës dhe kontrollës, për operacionet luftarake në terren, Hashim Thaçi nuk kishte absolutisht asnjë lloj përgjegjësie”. Kompetencat e UÇK-së, sipas avokatit, i përfaqësonte Adem Demaçi, si “përfaqësuesi më i lartë i UÇK-së”.

Ai përmend një takim të 2 nëntorit 1998 që ishte zhvilluar në përpjekje për bashkimin e forcave, dhe në të cilin UÇK-ja përfaqësohej nga Demaçi.

“Nëse do të shikojmë se kush ishte në takim – ndërkohë që themi se z.Thaçi është i rëndësishëm, ndërkohë që z. Thaçi s’ka qenë fare në takim. Kush do ta merrte vendimin? Personat që ishin anëtarë ose pjesëtarë të këtij takimi ishin Adem Demaçi, Bujar Bukoshi, një përfaqësues i UÇK-së dhe një përfaqësues i LDK-së. As nuk përmendet fare Hashim Thaçi. Nuk mendohej, as nuk përceptohej që ishte një vendimmarrës i rëndësishëm ose një person që ata duhet ta identifikonin në mënyrë që ta krijonin këtë lloj unifikimi të UÇK-së”, tha Kehoe.

Shpërndaje në

U Kopjua