Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka deklaruar se gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, duhet të rrëzohen.
Kjo pasi kur ka akuza të tilla, duhet të ketë sulm të organizuar ndaj civilëve. Sipas Misetiqit, Tribunali i Hagës e ka rrëzuar këtë pretendim në rastin e Fatmir Limajt.
“Gjashtë nga 10 pikat e Prokurorisë janë për krimet kundër njerëzimit. Për të vërtetuar këto pika, duhet të vërtetojë se ka pasur sulm të organizuar ndaj civilëve. Nëse nuk e vërtetojnë, këto gjashtë pika duhen rrëzuar dhe ju duhet të shfajësoni të akuzuarit për këto pika. Tribunali i Hagës në rastin Limaj konstatoi se nuk kishte sulme të zgjeruara ndaj civilëve. Konstatimi i fundit pranon se kishte kolaboracionistë me regjimin serb, diçka që Prokuroria dje nuk e pranoi”, tha Misetiq.
Ai foli edhe për komunikatat të cilat u përdorën dje nga Prokuroria.
“Nuk duhet të habiteni kur të dëgjoni se komunikatat janë diskutuar edhe më parë në Tribunal të tjerë që kanë rrezuar përpjekjet e prokurorëve për t’i lidhur motivet kriminale me këto komunikata. UÇK-ja nuk kishte struktura komanduese për të kryer këto krime që pretendohet në komunikata. Këto u kryen nga elemente të këqij të UÇK-së”, deklaroi Luka Misetiq.