Një avokat dhe aktivist i njohur pakistanez për të drejtat e njeriut u qëllua për vdekje të hënën në një ndërtesë gjykate në qytetin veriperëndimor të Peshawarit, sipas policisë dhe një dëshmitari.
Abdul Latif Afridi, 79 vjeç, një ish-president i shoqatës së avokatëve të Gjykatës së Lartë të Pakistanit, u qëllua gjashtë herë në një dhomë pushimi në Gjykatën e Lartë të Peshawarit.
Dëshmitari Hayat Roghani tha se i armatosuri i dyshuar ngriti duart për t’u dorëzuar pas të shtënave, duke thënë se ai ishte hakmarrë për vdekjen e babait të tij.
Babai i të dyshuarit, avokati Samiullah Afridi , u vra nga persona të armatosur të panjohur në vitin 2015. Në atë kohë, dy grupe militante morën përgjegjësinë për vrasjen e Afridit, i cili punonte për mjekun që ndihmoi CIA-n të kërkonte Osama bin Laden.
Latif Afridi, gjithashtu një ish-ligjvënës, kishte qenë një kritik i zëshëm i ndërhyrjes së pretenduar të ushtrisë së fuqishme në politikën pakistaneze dhe të militantëve islamikë.
Kryeministri Shehbaz Sharif lëshoi një deklaratë në Twitter duke shprehur pikëllimin dhe “dhimbjen e thellë” për vdekjen e Latif Afridit.