Live

Babai i Diana Kastratit: Vajzën nuk mund ta kthej as me para, të vetëdijesohen institucionet

21:22 / 13 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Babai i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati ka thënë se do të iniciojnë procedurë në Gjykatën Supreme pas vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur për dëmshpërblimin me vetëm 30 mijë euro të prindërve të Dianës, e cila është vrarë nga ish-bashkëshorti më 2011.

Gëzim Kastrati thotë se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendimin. “Nuk e kemi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit. Kështu që nesër kemi takim me avokaturën, përfaqësues të familjes për këtë çështje dhe do ta diskutojmë se cilët janë hapat e mëtutjeshëm. Ideja e gjithë kësaj: – po unë kërkoj drejtësi për humbjen e vajzës time, që drejtësia të shkojë në vend për mua personalisht, për gruan time dhe për anëtarët e familjes sime Kastrati”, është shprehur ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ai tutje shprehet se vajzën nuk mund ta kthejë as me para, prandaj bëri thirrje që të vetëdijesohen institucionet e vendit.

“Unë vajzën e kam humb. Ajo ka vdekur, nuk mundem ta kthej në jetë as me para, as me çfarëdo vendimi që unë marr sot, por unë kam marr një rrugë që të adresoj këto çështje dhe nuk do të ndalem që këto të jenë derivat i rasteve tjera edhe që duhet të vetëdijesohen”, tha ai.

Kastrati ka deklaruar se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm, por institucionet e vendin jo, madje sipas tij ato po bëjnë gabime.

“Jo vetëm qytetarët të vetëdijesohen, sepse janë të vetëdijesuar por institucionet e vendit të vetëdijesohen dhe të mos bëjnë gabime. Unë nuk jam jurist, nuk i di nenet, ligjet, pikat. Por, ata që janë të thirrur që paguhen për atë çështje është skandaloze që të dalin me një aktgjykim që ta kthejnë komplet idenë apo qëllimin e kërkesë-padisë apo ankesës që vetë shteti e ka bërë. Dhe kjo bie në kundërshtim me tri organet: kërkesë-padia, vetë ankesa e shtetit, e cila e ka bërë edhe një aktgjykim që del prej Gjykatës së Apelit”, ka deklaruar Kastrati.

Kastrati, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës së Apelit për dëmshpërblimin e prindërve të saj me vetëm 30 mijë euro për dhimbjet shpirtërore që u janë shkaktuar.

“Lajmi i tillë është shqetësues, jo vetëm për mua e familjen time, por për të gjithë Kosovën. Institucionet tona ende nuk po e gjejnë vetën në këtë rast të mbrojnë viktimat e tilla dhe të vetëdijësohen në vendimmarrjen e tyre”, tha Kastrati.

Kastrati thotë se në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit është shtrembëruar ideja e kërkesë-padisë.

“Nuk është ideja e vendosjes së shumës, ajo nuk ka të bëjë absolutisht me këtë rast, neve që atëherë kur Gjykata Themelore në Prizren e ka marrë një aktgjykim një kompensim të një dëmi të caktuar, por ajo është me rendësi që ka potencuar arsyen e kompensimit të dëmit jo material që na u ka krijuar. Kurse në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit është shtrembruar ideja e kërkesë-padisë që në atë kohë e kemi bë”.

Tutje babai i të ndjerës ka deklaruar se; “ka ndryshuar qëllimi i ankesës sonë, ne kemi bërë ankesë për mosveprimin e Gjykatës, në këtë rast kemi denoncuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për kërkesë-padinë. E kjo tash thotë që për vrasjen: ‘Për shkak të privimit nga jeta të vajzës të paditësve të ndjerës, Diana Kastrati’. Jo, jo, ne nuk e kemi denoncuar vrasësin, por mosveprimin e institucioneve”.

Tutje ai thotë se unë nuk di ta kuptoj fjalinë “’Solidarisht”.

“Neve që deri më sot, 12 vite kurrfarë solidariteti nuk kemi marrë nga organet e shtetit, përkundrazi jemi abozuar, kurrë nuk kemi marrë informacione në pyetje se si është gjendja jonë emocionale”.

Në pyetje se a e kanë pritur vendimin e së premtes, ai është përgjigjur se nuk e kanë pritur.

“Jo, nuk e prisja. Informacionin e morra nga mediat, nuk e kemi marrë as aktgjykimin. Kjo është pika e tretë që do ta diskutojmë me përfaqësuesit e familjes që i kemi avokat. D.m.th. janë tri pika që duhet të shtjellohen në këtë rast”.

Diana Kastrati është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, Adnan Jashari në vitin 2011 në Prishtinë.

Shpërndaje në

U Kopjua