Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë vetëm deputetët e kuvendit të Kosovës ata që kanë të drejtë të bëjnë një ligj që fal borxhe, siç ka propozuar ministri i Financave, Hekuran Murati, për tatimin në pronë.
Bajrami tha se ministri Murati në vend që t’i falë borxhet, mundet të heqë dorë prej rivlerësimit të fundit, i cili sipas saj, ka gabime të hatashme.
“Murati s’e ka pasur idenë se çfarë ndikimi do të ketë kjo kur vjen puna të gjenerohen faturat e tatimit në pronë. Ai këtë e ka dëshmuar disa herë gjatë diskutimeve”, është shprehur Bajrami në “Rubikon” në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se gjatë raportit të vlerësimit të pronave të komunave, janë bërë gabime duke i llogaritur shtëpitë njëjtë si në rrugën parësore si në atë tretësore.
“Departamenti i Tatimit në Pronë, kur i ka dërguar raportet e vlerësimit të pronave në komuna, në paragrafin e fundit në email iu thotë që neve nuk ka funksionuar një prej mjeteve “tools” të sistemit dhe thotë se për shkak të kësaj ne s’kemi mundur ta marrim parasysh nënzonimin”.
“Kjo do të thotë se në Pejë, një shtëpi është vlerësuar njëjtë si të jetë në rrugën kryesore, si në atë dytësore e si në atë tretësore”, është shprehur Bajrami