Live

Bashkëshortja e Sami Lushtakut dënohet me gjobë për rastin e arratisjes së tij nga QKUK-ja

12:48 / 04 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

Bashkëshortja e ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, Mirvete Hasani Lushtaku, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi është shpallur fajtore se ka mundësuar arratisjen e Lushtakut nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK).

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo është obliguar që të paguajë edhe 50 euro në emër të paushallit gjyqësor, derisa palët e pakënaqura kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur pasi që dy ditë më parë ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Në këtë rast, përveç Sami dhe Mirvete Lushtakut po akuzohen edhe djali i tyre Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Shpërndaje në

U Kopjua