Me urdhër të prokurorit të Dhomave të Specializuara, sot është bastisur shtëpia e Adil Behramajt, ish- këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Bastisjen në shtëpinë e Behramajt e ka cilësuar si skandal të paprecedent ish-këshilltari tjetër i Thaçit, Artan Behramaj. Sipas tij, ky është një kërcënim i hapur ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë, raporton Express.
“Bastisja e banesës së mikut tonë dhe udhëheqësit të mediumit ‘Demokracia’, Adil Behramajt, nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është një skandal i paprecedent. Ky është një kërcënim i hapur ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë. Pa paragjykuar motivet, frikësimi i gazetarëve nuk i bën nder Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Behramaj.
Ndryshe, lajmin për bastisje e konfirmoi avokati i Behramajt, Artan Çerkini.
Çerkini tha bastisja po vazhdon akoma, derisa tha se nuk mund të japë detaje derisa të përfundojë aksioni.
“Po, unë kam qenë në cilësinë e avokatit Behramaj. Bastisja është në rrjedhje e sipër. Deri më tani janë duke u kryer veprimet e bastisjes. Deri të përfundojë bastisja nuk mund të deklarojë më shumë se kaq”, tha ai për Express.