Live

BE: Asociacioni të themelohet, tensionet në Kosovë mund të përhapen në rajon

16:01 / 07 Nëntor 2022

Nga admin

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për gjetje të një zgjidhjeje evropiane pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ për gjithë rajonin.

Në një konferencë për media Stano ka thënë se për momentin prioritet është de-përshkallëzimi i situatës në terren.

“Gjatë ditëve të fundit, ne kemi parë në të vërtetë përshkallëzim shumë të rrezikshëm dhe zhvillime të cilat po vënë në rrezik vite të tëra pune të palodhur dhe arritjeje. Kjo ka pasoja jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin. Pra, ne po u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbushin përgjegjësitë për të gjetur një zgjidhje evropiane … Bashkimi Evropian përpiqet që Kosova dhe Serbia të përmbushin përgjegjësitë e tyre, të gjejnë një zgjidhje evropiane për të de-përshkallëzuar situatën aktuale dhe për t’u angazhuar seriozisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga ngërçi aktual, nga përshkallëzimi aktual”, ka thënë Stano.

Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, zëdhënësi i BE-së bëri thirrje që Kosova të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e tij.

Sipas tij, moszbatimi i këtij obligimi cenon jo vetëm parimin e sundimit të ligjit por edhe kredibilitetin e Kosovës.

“Ekziston një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë të themelojë, ose të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni apo Komuniteti. Ky është një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën, dhe moszbatimi i vazhdueshëm i këtij obligimi cenon, jo vetëm parimin e sundimit të ligjit në Kosovë, por edhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës. Pra, tani i takon të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, të përmbushin angazhimet dhe detyrimet e tyre që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit, nga marrëveshjet e bëra në kuadër të dialogut”, ka theksuar ai.

Stano ka thënë se nëse përshkallëzimi vazhdon askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq.

Ai tha se BE po apelon tek liderët e Serbisë dhe Kosovës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje evropiane për të tejkaluar situatën.

“Sa herë që ka një destabilitet lokal, destabiliteti lokal eksportohet, dhe ka pasoja dhe implikime edhe në rajonin e gjerë … Pra, nëse kemi një pikë tjetër të ndezjes në tokën evropiane, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse përshkallëzimi vazhdon, askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq që mund të çojë në dhunë”, është shprehur ai.

Sipas Stanos, kjo është diçka që Evropa nuk mund ta përballojë, e as rajoni, Serbia dhe Kosova nuk mund ta përballojnë. “Për këtë arsye ne po apelojmë në përgjegjësinë e liderëve në Serbi dhe Kosovë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të ndërmarrë hapa drejt më shumë sjelljeve evropiane dhe kërkimit të një zgjidhjeje evropiane për të de-përshkallëzuar”, ka theksuar ai.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme mandatet e tyre i dorëzuan edhe 10 deputetët e Listës Serbe.

Këto veprime kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë suspenduar drejtorin e Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq.

Ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat. KSP

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...