Bashkimi Evropian dënoi sot kërcënimet nga zyrtari i lartë i Rusisë ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Holandës, si nikoqire e saj, për shkak të urdhërarrestit për presidentin rus Vladimir Putin, njofton Shërbimi Evropian i Politikës së Jashtme (EEAS).
Zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, tha se një përpjekje e çdo vendi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për arrestimin e Putinit do të ishte e barabartë me shpallje të luftës.
“Bashkimi Evropian i ofron mbështetje të plotë Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Çdo masë hakmarrjeje ndaj personave të përfshirë në punën e gjykatës është e papranueshme. Duke udhëhequr luftën kundër pandëshkueshmërisë, Tribunali duhet të jetë në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e EEAS.
BE mbetet e përkushtuar për të mbrojtur Gjykatën kundër çdo ndërhyrjeje të jashtme, pengim dhe minim të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë.
Në deklaratën e EEAS thuhet se BE-ja do të vazhdojë të mbrojë universalitetin e Statutit të Romës dhe u bën thirrje të gjitha shteteve që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë që t’i bashkohen GJNP-së dhe kështu t’i japin fund mosndëshkimit për krimet më të rënda.